12:48 / E Martë, 14 Maj 2019 / indeksADMonline

“Rrudhet” hëna, çarje në sipërfaqen e satelitit natyror të Tokës

Hëna, me kalimin e kohës, po rrudhet e kjo është duke shkaktuar tërmete e të çara në sipërfaqen e satelitit të vetëm natyror të Tokës. Fotot e dërguara në Tokë nga sonda e NASA-as, Lunar Reconnaissance Orbiter, janë dëshmitë e një fenomeni të tillë.

Ndryshe nga planeti ynë, Hëna nuk ka pllaka tektonike. Brendia e saj është ftohur gjatë miliona viteve, e ky mendohet të jetë shkaku i tkurrjes dhe plasaritjeve. Me të nuk ka ndodhur ashtu si me lëkuren e rrushit kur thahet; sipërfaqja e ngurtë e Hënës është plasaritur, duke bërë që në disa vende, pjesë të kores të shtyhen për lart. Ka me mijëra ngritje të tilla dhe sot, për shkak të këtij procesi, Hëna është 50 metra më e vogël.

Sa më shumë vazhdon tkurrja, aq më tepër tërmete prodhohen. Të dhënat e sizmometrave të vendosur atje gjatë misioneve Apollo (11, 12, 14, 15 dhe 16) treguan se në periudhën e viteve 1969 – 1977, ka pasur 28 tërmete hënore.

Pas krahasimit të epiqendrave të tyre me imazhet e pjesëve te ngritura në sipërfaqe, u arrit në përfundimin se te paktën 8 tërmete kane ndodhur për shkak të aktivitetit të regjistruar pranë këtyre të fundit, çka përjashton mundësinë e impaktit të ndonjë asteroid apo gjëmimeve nga pjesa e brendshme e saj.