18:30 / E Shtunë, 23 Maj 2020 / indeksADMonline

Rruga e shumëpërfolur në Gjakovë, versioni i Gjinit dhe ankesat e qytetarëve

Planifikimi i nisjes së punimeve për zgjerim të rrugës “Nëna Terezë” i ka bashkuar banorët e Gjakovës dhe përfaqësuesit e bizneseve më shumë se kurrë.

Ky projekt po kundërshtohet me të madhe nga dy palët.

Përfaqësuesit e bizneseve dhe banorët e Gjakovës janë kundër largimit të 172 pemëve e të parkingjeve e të zvogëloj trotuaret për shtimin e një korsie të tretë për lëvizjen e makinave.

Menaxhuesi i faqes në Facebook “ Kundër degaradimit të rrugës “Nëna Terezë” – qendra e Qytetit”, Shkamb Zajmi, për IndeksOnline ka thënë se edhe pas protestës që është bërë ende nuk është  arritur asnjë marrëveshje me kryetarin, Ardian Gjini.

Ndonëse ky i fundit për IndeksOnline, tha tanimë është marrë vesh me përfaqësuesit e bizneseve dhe banorët.

“Kryetari e ka kry punën me përfaqësuesit e bizneseve dhe me banorë, opozita po proteston se atë punë e ka, këtë përgjegje e kam”, tha Gjini për IndeksOnline.

Por, Zajmi i cili me profesion është doktor, ka thënë se deri më tani me kryetarin Gjini janë pajtuar vetëm që të pezullohen punimet deri në takimin e ardhshëm, që do të ndodh të martën.

“Ende nuk është arritur asnjë marrëveshje me kryetarin. Ai me këto deklarata po tenton të manipuloj me opinionin publik, për të shkaktuar konfuzion te qytetarët rreth kësaj çështje”, tha Zajmi për IndeksOnline.

Këtë projekt po e kundërshtojnë edhe partitë opozitare në këtë komunë, Alternativa, Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Aktualisht, rruga “Nënë Tereza” është me dy korsi dhe me një drejtim qarkullimi, ndërsa sipas planit të Komunës së Gjakovës, ajo do të bëhet me tri korsi si dhe makinat do të mund të lëvizin në dy drejtimet./IndeksOnline/