17:05 / E Premte, 03 Maj 2019 / indeksADMonline

‘Rruga pa krye’, godet bullizmin në shkolla

Këtë të premte, në Teatrin “Dodona” në Prishtinë, u shfaq premiera teatrore “Rruga pa krye”.

Publiku e ka mirëpritur me duartrokitje interpretimin e aktorëve të rinj, që kanë ngjallur emocione me lojën e tyre.

Kjo është një shfaqje eksperimentale, që trajton një ndër dukuritë më shqetësuese, bullizmin në shkolla.

Në këtë projekt, aktorët janë përzgjedhur nga shkollat e kryeqytetit. “Rruga pa krye”, trajton dukuritë negative, ndërsa përcjell mesazhin e ngritjes së zërit ndaj padrejtësive që bëhen ndaj të rinjve.

Nxënësit Vlera Mulolli, Daorsa Salihu, Dion Uka, Vlera Mehmeti, Valdrin Bylykbashi, Klea Bajrami dhe Robert Gashi, të përzgjedhur nga shkolla “Faik Konica” dhe shkolla “Gjergj Fishta”, kanë impresionuar publikun me lojën e tyre, ku kishte prindër, arsimtarë dhe nxënës të shkollave në kryeqytet.

Regjia e kësaj shfaqjeje është bërë nga Fata Hyseni dhe Gëzim Hasani, të cilët janë përkujdesur gjithashtu edhe për elementët e tjerë, si skenografia, kostumografia, koreografia dhe muzika.

Ata janë shprehur të kënaqur me angazhimin në këtë project dhe nxënsit e talentuar që i dhuruan publikut një shfaqje mbresëlënëse. “Rruga pa krye”, është pjesë e projektit të organizatës Cult Club, “Teatri në shkolla”, që është mbështetur nga Zyra e Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport.

Kjo shfaqje, gjithashtu është përkrahur edhe nga Komuna e Prishtinës, drejtoria për kulturë.