15:07 / E Enjte, 21 Mars 2019 / indeksADMonline

Rruga që s’i zë as dy vetura, Komuna në Mati 1 po bën punë koti

Komuna e Prishtines është ngulfatur nga ndërtimet e reja që po bëhen nëpër disa lagje të qytetit ku planet urbanistike aspak nuk po respektohen. Njëra ndër lagjet më të ngarkuara me ndërtime të reja është lagjia “Mati 1” ku qindra ndërtesa janë duke u ndërtuar nga kompani të ndryshme.

Mirpo në këtë zonë ndërtimi përveç se vërehet mungesa e hapsirave publike, parqeve, parkingjeve, aty rrugët janë shumë të ngushta dhe shumë prej tyre nuk kanë trotuar fare.

Njëra ndër to është edhe rruga “Shaqir Igrishta”. Komuna e Prishtinës këtë rrugë ka filluar ta shtroj me kubëza, por ajo që bie në sy është hapësira e ngushtë e kësaj rruge.

Siç edhe shihet në fotot e bëra nga “Indeksonline” kjo rrugë nuk i ka as 3 metra gjerësi dhe në të nuk mund të kalojnë dy makina ani pse rruga “Shaqir Igrishta” tashmë lidhë dhjetëra ndërtesa banimi ku numri i banorëve pritet të jetë me mijëra.

Banorët e kësaj lagje janë ankuar në Komunën e Prishtinës për këtë rrugë.

Disa banorë thonë se e kanë liruar me dëshirë tokën e tyre për ta zgjeruar këtë rrugë por disa të tjerë nuk kanë pranuar dhe për pasojë rruga po mbetet e gjymtuar dhe e pakalueshme në të dyja anët.

Banorët thonë se komuna po bënë gabim që po e ndërton këtë rrugë gjysmake dhe se më mirë është që të mos e bëj fare se sa që po e bënë në këtë mënyrë sepse kjo nuk ofron zgjidhje afatgjate. Madje, në disa raste kanë filluar problemet mes shoferëve ngase lindin probleme për përparësi kalimi dhe ky pritet të jetë vetëm fillimi i një problemi pa zgjidhje./Indeksonline/