21:23 / E Shtunë, 30 Qershor 2018 / indeksADMonline

Rruga rajonale Marinë-Terstenik përfundon në këtë kohë

Në muajin prill të këtij viti kanë filluar punimet për ndërtimin dhe zgjerimin e rrugës rajonale Skenderaj-Drenas-Komoran, përkatësisht segmenti Komoran- Marinë në gjatësi prej 17 kilometrash.

Kjo rrugë u vlerësua si e rëndësishme për qytetarët e dy komunave për shkak të lehtësirave që pritet të krijoj jo vetëm për të Drenicës, por edhe për atdhetarët që vijnë me rastin e ditëve të shënuara, sidomos në kompleksin memorial “Adem Jashari”.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj për Indeksonline ka treguar se projekti për këto dy segmente të rrugës do t’i kushtoj 6 milionë euro.

Ai ka shtuar se nëse nuk ka pengesa, punimet do të përfundojnë pas 180 dite pune.

“Sipas planit dinamik nëse nuk kemi pengesa të natyrave që nuk varen nga faktori njeri, punimet do të përfundojnë pas 180 ditë pune. Projekti për dy segmentet do të kushtoj 6,000,000.00 euro”, ka thënë ai.

Tutje në përgjigjën e tij bëhet e ditur se deri tani janë kryer 25% e punimeve dhe se nuk ka pasur ndonjë problem.

“Deri tani punimet kanë rrjedhur mirë, pa probleme për tu theksuar. Sipas gjendjes momentale në terren deri tani janë kryer 25% e punimeve”, ka shtuar Lekaj.

Pas këtij projekti, është paralajmëruar se shpejti do të fillojë edhe rruga nga Feronikeli deri të Kroi i Mbretit, 5 kilometra e gjatë që do të lidhë fshatrat me korridorin N 9, Prishtinë – Pejë.

Dy kryetarët e komunave të Drenicës janë shprehur të kënaqur me këtë investim të Ministrisë së Infrastrukturës për shkak të përfitimit të qytetarit nga ky projekt. /Indeksonline/