10:11 / E Premte, 03 Gusht 2018 / k.v

Rrugët e përgjakura

Numri i aksidenteve të trafikut ka shënuar rritje të ndjeshme kohët e fundit. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, kanë ndodhur katër aksidente me pasoja fatale, në të cilat jetën kanë humbur gjashtë persona, transmeton Indeksonline.

Policia sot ka dhënë detaje për të gjitha aksidentet e ndodhur gjatë ditës së djeshme. Sipas tyre, dje kanë ndodhur 79 aksidente trafiku, prej të cilave katër me fatalitet, 23 me persona të lënduar dhe 52 të tjera me dëme materiale.

Dy nga aksidentet fatale kanë ndodhur në Prishtinë. Njëri në rrugën “Qemal Stafa” ku jetën ka humbur një shofer ndërsa tjetri aksident ka ndodhur në autostradën Trudë-Veternik, ku nga përplasja e tri veturave, jetën kanë humbur dy drejtues të automjeteve.

Me dy viktima ishte edhe aksidenti në Mushtisht të Suharekës ndërsa një femër vdiq edhe në Kryshec të Pejës.

Policia e Kosovës, duke marr parasysh gjendjen alarmante në trafik, ka formuar një “Task Forcë” për parandalimin e aksidenteve, por ajo që vërehet në këtë kohë është vetëm rritja e numrit të gjobave.

Kështu, vetëm gjatë 24 orëve të fundit, policia ka ndëshkuar 1 772 persona për thyerje të rregullave në komunikacion./Indeksonline/