22:35 / E Mërkurë, 21 Shtator 2022 / AR

Rubikon: Kosova me mjaftueshëm vende pune, pse ikja nuk është zgjidhje?

Sejdiu: Si shoqëri duhet të fillojmë e mendojmë që Kosova nuk është vetëm zi e terr 

Ekonomisti, Dardan Sejdiu, thotë se shteti nuk është mekanizëm që mirëmban, por mekanizëm që duhet të ndërtohet për të garantuar një mundësi që qytetarët të zhvillohen.

Sejdiu, në Rubikon në Klan Kosova, tha se qytetarët duhet të ndërrojnë mendësinë dhe të fillojnë e të mendojnë që Kosova nuk është vetëm zi e terr, njofton Klankosova.tv.

“Besoj që është me rëndësi që ne si shoqëri me fillu me e trajtu seriozisht temën që ka të bëjë me mënyrën se si e shohim ne vendin tonë dhe se si e shohim shtetin. Shteti nuk është mekanizëm që të mirëmban, por është mekanizëm që duhet me u ndërtu së paku për të garantuar një mundësi që qytetarët me u zhvillu”.

“Ka qalesa, por më shumë perceptim se këtu [Kosovë] është gjithçka e korruptuar dhe ka krim të organizuar – po kemi fol për këtë temë shumë. Por, e kemi tepruar me sharjet që ja bëjmë vendit, dhe besoj që është me rëndësi që këtë qëndrim ta ndërrojmë dhe të fillojmë të mendojmë se në Kosovë nuk është vetëm zi e terr”, tha Sejdiu.

Kusari (BERZh): Sot kompanitë vendore janë shumë më të strukturuara 

Leonora Kusari nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka thënë se sot kompanitë vendore janë shumë më të strukturuara nëse krahasohen me ato që ishin 15 vjet më parë.

Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ajo ka theksuar se për ndërmarrësit e rinj mjafton që të nisin me zëvendësimin e mallrave që importohen nga vendet e tjera.

“Këtu tregu është i pazhvilluar dhe ka shumë mundësi. Unë gjithmonë këtë iu them edhe ndërmarrësve të rinj për t’i motivuar”.

“Këtu ende importi është jashtëzakonisht i lartë dhe sot mund të bësh zëvendësime të importit. Mjafton veç të fillosh dhe të mendosh për një ide dhe të shohësh se si i merr statistikat”.

“Sot ka edhe mekanizma që i ndihmojnë një ndërmarrësi të ri, duke filluar prej biznes planit. Ka edhe mentor sot që para 20 vjetëve nuk i kemi pasur që i ndihmojnë ndërmarrësit e rinj të ecin përpara”.

Kusari shtroi nevojën që të rinjtë të ftohen dhe t’i shohin praktikisht modelet e kompanive dhe jo vetëm t’i dëgjojnë si tregime suksesi.

Panxha: Në Perëndim jeton për me punu, në Kosovë punon për me jetu 

Drejtori i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, ka thënë se tek qytetarët e Kosovës është krijuar iluzioni se vendi ynë nuk ofron mundësi, prandaj trendi i emigrimit është në rritje të vazhdueshme.

“Ka shumë faktorë për këtë përceptim, ndoshta edhe vetë fakti që në statistika diku rreth 60 për qind e qytetarëve nuk kanë udhëtuar më larg se Mali i Zi, Maqedonia dhe Shqipëria dhe mendohet se Perëndimi të ofron shumë më shumë mundësi se Kosova” tha Panxha në Rubikon të Klan Kosova.

Duke folur për vendimin e tij që të kthehet nga Londra në Prishtinë, Panxha tha se fare nuk është penduar që e ka zgjedhur kryeqytetin e Kosovës për të jetuar e punuar.

“Unë në Londër i kam kaluar dy orë ose dy orë e gjysmë duke udhëtuar për në vendin e punës me tren, kur e bën një përllogaritje vjetore diku 32 ditë i humbë vetëm në udhëtim me trena, gjashtë muaj flen, pjesa tjetër punon dhe kur e sheh se si anglezët i shijojnë dy javë, ose tri javë pushim që i marrin e kupton që pjesa më e madhe e jetës është udhëtim edhe punë. Atje jeton për me punu, në Kosovë punon për me jetu, ky është një dallim”.

Panxha tutje tha se një pagë mesatare në Kosovë mund të jetë ekuivalente me një pagë në shtetet e Perëndimit kur merret parasysh kostoja e jetesës në ato shtete.

“Me pasë një rrogë në Kosovë mesatarisht të mirë, besoj që… sepse ne harrojmë që kushtet e jetesës, banimi në Londër është shumë i shtrenjtë, shumë njerëz e kanë vetëm një dhomë. Një pako cigare në Londër është rreth 18 euro, e ora për një punëtor pra minimale nëse nuk gaboj është rreth 13 euro. Pastaj është kualiteti i jetesës, te ne i kemi shtëpitë 200 – 300 metra katrorë ku jetojmë në Kosovë, një shtëpi 200-300 metra katror në Angli është një luks i milionerëve, nuk është luks i një familje mesatare”, u shpreh Panxha.



Rafuna: Fatkeqësisht të rinjtë tanë nuk janë të informuar për jetën që i pret në Perëndim

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha se trendi i largimit të të rinjëve nga vendi po arrin përmasa shqetësuese. Sipas Rafunës të rinjtë që ia msyjnë Perëndimit nuk janë të informuar për kushte atje.

“Të gjithë janë në kërkim të një jete më të mirë, ose të një page më të mirë, fatkeqësisht të rinjtë tanë nuk janë të informuar mirë se çfarë jete i pret, nuk e kanë të qartë se pagën që e marrin a e kanë bruto apo neto, mos të lëshohem në atë se sa shpenzime kanë atje. Me shpenzimet që i kanë këtu del shumë më mirë në Kosovë sesa jashtë”, tha Rafuna.

Ai tutje tha se nuk janë të rralla rastet kur të rinjtë që emigrojnë vendosin të kthehen në Kosovë.

“Ne kemi raste kur të rinjtë janë kthyer dhe e kanë parë atë zhgënjimin domethënë, janë kthyer se jo më lehtë qenka me jetu në Kosovë sesa në Gjermani.  Për shembull, sepse kur e merr pagën, e paguan qeranë e banesës, tatimet, shpenzimet tjera, neto nuk i ka mbetur një pagë 400 ose 500 euro që as gjysmën e muajit nuk e ka kalu”, tha Rafuna.

Rafuna shtoi se institucionet e vendit duhet të hartojnë një strategji të qartë për t’ju qasur problemit të ikjes së të rinjeve.

“Na duhet një kampanjë shumë e mirë informuese, na duhet një strategji nga ana e qeverisë se si të trajtohet të rinjtë që të mos lejohet të dalin, duhet një reformë urgjente në arsim, që arsimi të lidhet me nevojat e tregut të punës dhe duhet një strategji se si të kthehen të rinjtë që kanë dalë atje”.

Ibrahimi: Kthimi nga ShBA-të në Kosovë është vendimi më i mirë që e kam marrë në jetë

Largimi i të rinjve nga vendi ishte tema e debatit të emisionit Rubikon në Klan Kosova. Duke folur për këtë temë, opinionisti Ilir Ibrahimi  tha se fare nuk është penduar që ka vendosur të kthehet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

“Vendimi më i mirë që ndonjëherë e kam marrë në jetë është vendimi për tu kthyer në Kosovë dhe këtë e them pa hezitim fare, nga kryeqyteti i botës nga Uashingtoni jam kthyer në kryeqytetin e Kosovës. Amerika të merr me të mirë, është ndër shtetet më të mira në botë, sepse të ofron shumë mundësi, por edhe shteti më i mirë në botë nuk është më i mirë se shteti yt. Kjo nuk duhet mend që të thuhet, sepse guri i rëndë peshon në vend të vet”, tha Ibrahimi.

Sipas Ibrahimit pavarësisht perceptimit të përgjithshëm se në Kosovë nuk ka vende të punës, Kosova ofron mundësi për të rinjtë e saj.

“Kosova ka sfida, sepse është vend i ri që është duke u ndërtuar, por megjithatë ofron shumë mundësi, sikurse në Amerikë, në Zvicër, në Gjermani, e mundësia të ofrohet, por duhet të vetë ta gjesh atë mundësi dhe ta marrësh, në asnjë vend të botës nuk ta bjen thesin me para dikush te dera, por për çdo sukses duhet të punosh dhe duhet të punosh shumë”, tha Ibrahimi.

Në Rubikon me Adriatik Kelmendin është duke u diskutuar rreth fuqisë punëtore që ka Kosova.

“Kosova me mjaftueshëm vende pune – pse ikja nuk është zgjidhje”, është tema për të cilën po flasin të ftuarit në studio.