14:47 / E Martë, 03 Gusht 2021 / LB

Rufki Suma ende nuk e ka ndarë mendjen nëse do të kandidoj për kryetar të Hanit të Elezit

Kanë mbetur më pak se dy javë kur përfundon afati për t’i dërguar në KQZ emrat e kandidatëve për kryetar të komunave për zgjedhjet lokale dhe asamble.

Kryetari i komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, ka thënë se ende nuk ka vendosur përfundimisht nëse do të kandidoj sërish për kryetar të kësaj komune.

I kontakuar nga “Indeksonline”, Suma ka thënë se a do të kandidoj ose jo në zgjedhjet e tetorit do të vendoset nga kërkesat e qytetarëve.

“Ende nuk kam vendos. Nuk e kam menduar më thënë të drejtën. Krejt do të varët nga qytetarët. Unë s’kam parti politike, kërkesa kam nga qytetarët do t’i shqyrtoj dhe do të vendosi”, ka thënë Suma.

I pyetur se a pret përkrahje nga qytetarët sikur në zgjedhjet e kaluara, Suma ka thënë se nuk mund ta thotë më saktësi, pasi qytetarët vullnetin e tyre e shprehin në kutinë e votimeve.

Rufki Suma nuk është pjesë e asnjë partie politike në Kosovë. Ai si i pavarur ka arritur të marrë besimin e qytetarëve të Hanit të Elezit për ta udhëhequr këtë komunë të vendit.

Zgjedhjet lokale mbahen më 17 tetor në vend dhe shumica e partive politike përveç Vetëvendosjen i kanë zyrtarizuar kandidatët e tyre në shumicën e komunave të vendit./Indeksonline/