08:12 / E Hënë, 13 Shtator 2021 / C E

Rummenigge e konsideron çmenduri fitoren 8-2 ndaj Barçës: Largimi i Messit, autogol i madh

Karl-Heinz Rummenigge ka folur për “AS”, pasi e la postin e tij si CEO i Bayern Munich. Meqë po afron përballja e Champions-it mes katalanasve dhe bavarezëve, ai kujton fitoren e fundit 8-2 të gjigantëve gjermanë:

“Ishte çmenduri. Ne të gjithë menduam se ishim në ëndërr dhe do të zgjoheshim në një moment. Por jo. Unë mendoj se kurrë nuk kam jetuar dhe kurrë nuk do ta përjetoj diçka të tillë përsëri. Ekipi ynë ishte në ekstazë. Ajo ndeshje na ndihmoi të besonim se mund ta fitonim Ligën e Kampionëve me të vërtetë. Ajo që bëri Hansi Flick dhe ekipi ynë në Lisbonë ishte e jashtëzakonshme”.

Tashmë, bavarezët do të sfidojnë përsëri Barcelonën në grupet e Champions-it, por pa Messin në përbërje. Ja si e analizon Rummenigge largimin e yllit argjentinas nga Blaugrana-t dhe La Liga: “Brenda tri vitesh, La Liga ka humbur dy simbolet e saj. Cristiano shkoi te Juventusi dhe tani, Messi te PSG.

Të dy kanë lënë një boshllëk në aspektin e marketingut, që nuk mund të plotësohet. Gjithkush është i lirë të thotë çfarë të dojë, por unë e konsideroj autogol të madh të Barcelonës lejimin e largimit të yllit më të madh të saj, qoftë kjo edhe për shkak të “fair play financiar”.

Situata financiare në “Camp Nou”? Kur bëni kaq shumë shpenzime, është normale që llogaritë të mos dalin në rregull, veçanërisht pas asaj që nënkupton koronavirusi për të gjithë. Rruga me të cilën përballet tani klubi katalanas është e vështirë, por gjithashtu e saktë dhe e nevojshme.

Reduktimi i shpenzimeve duket thelbësor kur ke më shumë se 1.3 miliardë euro borxhe. Nuk ke alternativë tjetër. Miku im i mirë, Joan Laporta, e di këtë gjë. Ai është një djalë i madh. Dhe menaxher i mirë.

Tashmë e ka udhëhequr klubin gjatë kohës së tij më të lavdishme me Pep Guardiolën si trajner. Jam i bindur se do ta nxjerrë Barçën nga kjo krizë. Kandidimi i tij, duke marrë parasysh momentin që kalon klubi, më është dukur trim dhe fisnik”.