23:26 / E Enjte, 24 Mars 2022 / MSH

Rusia bllokon ndihmën humanitare për Mariupolin, por shpërndan të sajat

Rreth 2700 njerëz mund të largoheshin nga qyteti i rrethuar dhe i shkatërruar i Mariupolit sot, tha zëvendëskryeministrja e Ukrainës.

Por, Iryna Vereshchuk akuzoi Rusinë për bllokimin e autokolonave të ndihmave humanitare në qytet për tre ditët e fundit, shkruan BBC. 

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë gjithashtu se nuk ka mundur të arrijë në Mariupol, transmeton Indeksonline.

Rusia ka marrë kontrollin e pjesëve të qytetit. Në një zonë të tillë ajo shpërndau furnizime për qindra banorë që dolën nga vendet e tyre të strehimit, sipas një raporti të lajmeve të Reuters nga qyteti.

Në vendngjarje ishte Denis Pushilin, kreu i enklavës separatiste të Donetskut të mbështetur nga Rusia, si dhe një zyrtar nga partia Rusia e Bashkuar e Putinit, Andrei Turchak, sipas mediave separatiste pro-ruse.

Turchak shkroi në kanalin e tij Telegram se Rusia do të rindërtonte Mariupolin, por shtoi: “Mos bëni gabim, Rusia është këtu përgjithmonë”.