16:35 / E Enjte, 24 Tetor 2019 / indeksADMonline

Rusia vendos sistemin S-400 në Serbi për stërvitje ushtarake

Rusia tha se ka vendosur sistemin për mbrojtje raketore S-400 në Serbi për stërvitjen ushtarake “Mburoja sllave 2019”, transmeton AA.

Kjo është hera e parë që sistemi S-400 do të përfshihet në një stërvitje ushtarake në territorin e një shteti të huaj, njoftojnë nga Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.

Stërvitja ushtarake ruso-serbe “Mburoja sllave 2019” mbahet për herë të parë në histori.

Stërvitja do të përfshijë dy faza, ku faza e parë është mbajtur në shtator në rajonin rus Astrakhan, ndërsa faza e dytë ka filluar në Serbi më 23 tetor me vendosjen e trupave dhe pajisjeve ushtarake, që do të përfundojë më 29 tetor.

Qëllimi i stërvitjes, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, është që “të ushtrojnë detyrat për zbulimin, shoqërimin, klasifikimin dhe shkatërrimin e të gjitha llojeve të objektivave ajrore të një armiku të simuluar”.