75 Mall Live Search
21:54 / E Premte, 26 Qershor 2026 / MSH1

Rutte: NATO do të jetë e ashpër, por e matur për shpenzimet në mbrojtje

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, deklaroi se aleanca do të jetë “e ashpër, por e matur” për t’u siguruar që vendet anëtare të përmbushin angazhimet për rritjen e shpenzimeve ushtarake, mes debateve që po zhvillohen në disa shtete, përfshirë Britaninë e Madhe.

Duke folur në një aktivitet në Uashington, Rutte tha se qeveritë do të përballen me vendime të vështira për të gjetur fondet e nevojshme, duke përmendur si shembuj Britaninë, Italinë dhe Holandën  Sipas tij, detyra kryesore e çdo qeverie është garantimi i sigurisë kombëtare.

Ai theksoi se një nga temat kryesore të samitit të NATO-s që do të mbahet muajin e ardhshëm në Ankara do të jetë vlerësimi nëse vendet kanë një plan të besueshëm për të arritur objektivin e shpenzimeve prej 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035.

Ky objektiv parashikon që 3.5% e PBB-së të shpenzohet për mbrojtjen bazë, ndërsa 1,5% për forcimin e qëndrueshmërisë, infrastrukturës dhe sigurisë kombëtare.

Komentet e Rutte vijnë në një kohë kur në Britaninë e Madhe  vazhdon debati për financimin e ushtrisë. Ish-ministri i Mbrojtjes, John Healey, dha dorëheqjen pasi plani i investimeve ushtarake parashikonte vetëm 13,5 miliardë paund shtesë, shumë më pak se 28 miliardët që kërkonin zyrtarët.

Ndërkohë, kryeministri në largim, Keir Starmer, është zotuar të publikojë planin e ri të investimeve në mbrojtje përpara samitit të liderëve të NATO-s më 7 korrik, edhe pse zbatimi i tij pritet t’i mbetet pasardhësit të mundshëm, Andy Burnham.