21:23 / E Mërkurë, 18 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Sa biznese ishin të licencuara në veprimtarinë e Lojërave të Fatit në Kosovë dhe sa lokale zotonin?

Reagime të shumta pati kur Qeveria Haradinaj mori vendim që të miratohet Ligji për Ndalimin e Lojërave të Fatit.

Në bazë të këtij vendimi, që nga data 10 maj 2019 asnjë veprimtari e Lojërave të Fatit nuk lejohet që të funksionojë brenda territorit të Kosovës.

Me të marrë ky vendim, Administrata Tatimore e Kosovës bëri revokimin e të gjitha licencave të subjekteve që merreshin me organizimin e Lojërave të Fatit.

Por sa ishte numri i bizneseve të licencuara në veprimtarinë e Lojërave të Fatit në vend?

Të kontaktuar nga Indeksonline, nga ATK kanë bërë të ditur se numri i këtyre bizneseve në Kosovë ishte 46.

“23 me veprimtari baste, 17 me veprimtari automate dhe gjashte më veprimtari bingo”, thuhet nga ATK.

Por ajo që nuk ka qenë asnjëherë e licencuar ishte ‘Kazino’.

Shumë prej këtyre veprimtarive kanë funksionuar në lokale të ndryshme.

Kësisoj në veprimtarinë baste ishin gjithsej 306 njësi të basteve/lokaleve, kurse në veprimtarinë automate kanë qenë 133 lokale, e në  bingo ishin vetëm gjashtë lokale në Kosovë.

“Të gjitha këtyre subjekteve ju është revokuar licenca dhe janë mbyllur”, thuhet në një përgjigje të dhënë nga ATK.

Lojërat e Fatit janë ilegale pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Ndalimin e Lojërave të Fatit në Kosovë, ligj ky i cili ndalon funksionimin e bizneseve të këtyre lojërave për 10 vjetët e ardhshme.

Por pavarësisht kësaj, në disa pjesë të Kosovës, ka bastore të cilët funksionojnë në lokale që nga jashtë shfaqen si lokale funksionale për diçka tjetër.

E jo vetëm bastoret. Pak larg Gjilanit e Kamenicës, është fshati Karaçevë ku kazinotë kanë lulëzuar që nga vera e këtij viti.

Mjafton të kalosh në rrugën kryesore dhe të shikosh lokalet e shumta që janë hapur dhe kanë shndërruar këtë anë në lagje kazinoje.

Lidhur me gjithë këto shkelje të ligjit, Policia e Kosovës disa herë radhazi ka realizuar aksione për mbylljen e këtyre lokaleve të cilët kanë funksionuar në kundërshtim me ligjin dhe duke arritur që të arrestojë persona të shumtë për veprimtari të paligjshme lidhur me lojërat e fatit.

Deri tek vendimi për mbylljen e lojërave të fatit erdhi pasi në dy kazino në qytete të ndryshme të Kosovës, u vranë dy persona./Indeksonline/