10:53 / E Martë, 25 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Salah, Aubameyang dhe formacioni më i mirë deri më tani në Premier League

Derisa Premier League i futet periudhës së zënë të Krishtlindjeve, Goal ka zgjedhur formacionin më të mirë të futbollistëve që shkëlqyen në gjysmën e parë të këtij sezoni.

Alisson | Liverpool

Padyshim, portieri më i mirë në Premier League këtë sezon dhe njëri prej transferimeve më të mira në histori.

Është një garë e ngushtë mes tij dhe Ederson të Man Cityt. Të dy janë portierë fantastik, por Alisson shkëlqen më shumë dhe ka pranuar më pak gola.

Ai është njëri prej lojtarëve kryesor që kanë luajtur rol që Liverpooli sot të jetë lider i Premier Leagues.

Cesar Azpilicueta | Chelsea

Paraqitja e tij e jashtëzakonshme këtë sezon ishte ndaj Man Cityt, kur Chelsea ia shkaktoi humbjen e parë skuadrës së Pep Guardiolas këtë sezon.

Ai është më i pëlqyeri i tifozëve në Londër, teksa më parë me Antonio Conten ka luajtur edhe si qendër-mbrojtës.

Përndryshe, mbrojtësi spanjoll është njëri prej 10 lojtarëve që këtë sezon është paraqitur në çdo minut të këtij sezoni.

Virgil van Dijk | Liverpool

Sezonin e kaluar, Jurgen Kloppi vendosi ta blejë në janar një qendër-mbrojtës duke e blerë Virgil van Dijk për një shumë rekorde për mbrojtës.

Por, mbrojtësi holandez bëri që shuma e paguar për të të harrohet. Padyshim, ai sot konsiderohet si mbrojtësi më i mirë në Premier League.

Forma e tij e ka drejtuar Liverpoolin ta udhëheqë renditjen tabelare në Premier League, së bashku me Joe Gomez, Trent Arnold dhe Andy Robertson.

Aymeric Laporte | Manchester City

Si Van Dijk, edhe Laporte është njëri prej ardhjeve më të janarit, i cili është bërë pjesë integrale e ”Qytetarëve”. Guardiola preferoi një qendër-mbrojtës majtak, duke përfunduar në transferimin e Laportes.

Ai e ka dëshmuar veten në Premier League me fuqinë dhe fizikun e tij.

Për më shumë, asnjë lojtar në Premier League këtë sezon nuk ka bërë më shumë pasime në pozitën e tij se francezi.

Andrew Robertson | Liverpool

Liverpooli e ka zakon t’i transferojë disa prej lojtarëve të talentuar më të mirë nga skuadrat e dëbuara në Premier League siç është rasti i Gini Wijnaldum, Andrew Robertson dhe Xherdan Shaqiri.

Askush nuk ka pritur një shkëlqim nga skocezi, i cili sot konsiderohet si mbrojtësi i majtë më i mirë në Premier League.

23 shanset e tij të krijuara, 3 asistimet, e kanë ndihmuar Liverpoolin që ta mbajë 11 herë portën e paprekur tani.

Lucas Torreira | Arsenal

Mori pak kohë që uruguaiani ta përshtatë veten në skuadrën e Unai Emeryt, dhe sot konsiderohet si lojtari më i mirë i Arsenalit në mesfushë.

Madje, ai shënoi gol në fitoren dramatike në derbin kundër Tottenhamit.

Torreira erdhi tek Arsenali nga Sampdoria me pak bujë dhe tani sfida e Emeryt është t’i shmangë interesimet e klubeve të mëdha për 22-vjeçarin, përcjellë IndeksOnline.

Raheem Sterling | Manchester City

Anësori i Anglisë ka qenë i jashtëzakonshëm në Premier League deri më tani këtë sezon, duke shënuar 9 gola dhe duke dhuruar 6 asistime.

Man City duket se e sheh 23-vjeçarin si ”shefin e burimeve” të golave dhe inspirimit.

Pa David Silva dhe Kevin de Bruyne disa herë këtë sezon, Guardiola ia ka parë ”hajrin” Sterlingut shumë.

Eden Hazard | Chelsea

Kapiteni i Belgjikës është njëri prej sulmuesve më të kompletuar në Premier League dhe natyrisht, Chelsea nuk është skuadër e njejtë pa të.

Ai ka shënuar 8 gola dhe ka dhuruar 9 asistime nën urdhrat e Maurizio Sarrit këtë sezon.

Mohamed Salah | Liverpool

E filloi sezonin aktual dobët, por tani kjo mbetet në të kaluarën.

11 gola dhe 5 asistime më vonë. Frustrimet e Salah në finalen e Champions Leagues dhe në Botëror mbaruan dhe tani ai vazhdon të jetë pjesë kruciale e Liverpoolit.

Me një gol më pak, Salah është në garë të ngushtë me Aubameyang në garën për çmimin e golashënuesit më të mirë në kampionatin anglez.

Pierre-Emerick Aubameyang | Arsenal

Me gjasë, njëri prej përforcimeve më të mira të Arsenalit që prej Thierry Henry. Kapiteni i Gabonit ka qenë në formë mbresëlënëse që prej kalimit tek Arsenali nga Dortmundi në janar.

Ai është aktualisht golashënuesi më i mirë në Premier League me 12 gola, dhe shkëlqimi i skuadrës në sulm ka një arsye – ai është pikërisht Aubameyang.

Harry Kane | Tottenham

Spurs ndoshta s’është pretendent kryesor për titull, por kjo nuk i ka ndalur ata që të mos kenë një fillim drithërues të këtij sezoni.

Derisa lojtarët si Aubameyang, Aguero, Wilson dhe Murray kanë qenë efektiv në sulm, Kane mbetet njëri prej sulmuesve më të mirë në botë.

Me 15 gola në të gjitha garat këtë sezon, forma e Tottenhamit varet shumë nga kapiteni anglez./IndeksOnline/