11:22 / E Martë, 26 Janar 2021 / OSH

Salih Mustafës i vazhdohet paraburgimi, Gjykata Speciale thotë se nëse lirohet, ai mund të arratiset

Gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Speciale, Nicolas Guillou, ka vendosur t’ia vazhdojë paraburgimin ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa.

Në arsyetimin e dhënë thuhet se nëse ai lirohet, ka rrëzik që të arratiset.

“Për arsyet e përmendura, gjykatësi i procedurës paraprake: URDHRON vazhdimin e ndalimit të z. Mustafa. Gjyqtari i procedurës paraprake konstaton se nuk ka asnjë informacion ose zhvillim ndërhyrës në procedurat aktuale që minojnë përcaktimin se ekzistojnë artikuj, baza për të besuar se të tri rreziqet e parashikuara në nenin 41 (6) (b) (i) – (iii) të ligjit vazhdojnë të ekzistojnë”, thuhet në përfundimet e vendimit.

Salih Mustafa kishte paraqitur disa kushte për lirim, por që janë vlerësuar të pamjaftueshme.
Më 24 shtator 2020, Salih Mustafa u arrestua me një urdhërarrest të lëshuar nga Guillou dhe po mbahet në paraburgimin e Gjykatës Speciale, në Hagë, i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.