14:25 / E Hënë, 25 Janar 2021 / k.v

Salihu e quan dështim punën e institucioneve dhe klasës politike për hulumtimin e krimeve të luftës

Institucionet zyrtare dhe partitë politike kanë dështuar në punën për hulumtimin e krimeve të luftës të kryera në Kosovë, gjatë viteve 1998-199, nga regjimi serb, vlerëson profesori i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu.

Sipas tij, në këtë drejtim ajo çfarë është bërë deri më tani, është punë e disa individëve që e kanë bërë nga vullneti i tyre.

“Shumë pak është bërë ose fare, është bërë thjesht nga disa entuziastë individualë që kanë bërë hulumtime të krimeve të luftës dhe ajo punë që kemi bërë ne në institutin për hulumtimin e krimeve të luftës, pra kemi bërë dhjetë hulumtime dhe dhjetë botime në gjuhën shqipe dhe angleze, kështu që në këtë aspekt është vërtet një dështim shumë i madh i klasës tonë politike posaçërisht njerëzve të cilët kanë qenë në pushtet deri më tani” u shpreh Salihu.

Tutje ai tha që nga përfundimi i luftës e deri më tani angazhimi i partive politike mund të cilësohet si mjerim, madje tregon dhe gjendjen e vështirë që nga fillimet e punë së institutit dhe pamundësinë e kushteve për të punuar.

“Mjerisht tani veç kaluan 21 vite prej përfundimit të luftës, partitë politike pak pothuajse fare nuk kanë treguar atë angazhim të cilin e meritojnë për krimet e luftës, kjo shihet nga fakti se pak është përmendur, tek pas dhjetë viteve me iniciativën e profesorit Hajredin Kuçit, që ishte në atë kohë ministër i Drejtësisë, dhe të disa kolegëve të tij dhe profesorit Zejnullah Gruda është iniciuar dhe është themeluar Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, do të thotë pas dhjetë viteve që është dashur të bëhet menjëherë pas gjashtë muajve ose një viti, dhe ai institut në vitin e parë nuk ka pasur as kushte minimale as zyre as karrige dhe tek pas një viti e gjysmë i është mundësuar një punë me disa zyre modeste, dhe të ju them se ky institut ka punuar në kuadër të ministrisë së drejtësisë dhe gjatë periudhës sa kemi punuar është bërë një punë mjaft e madhe me atë kuadër modest prej gjashtë vetave dhe me një buxhet modest mirëpo nuk kemi pasur përkrahjen e duhur për shkak se nuk na është lejuar të rrisim stafin, nuk na është lejuar të bëjmë hulumtime në terren”, tutje tha ai.

Profesor Salihu thotë mes tjerash që ironia më e madhe është preteksti i themelimit të departamentit të drejtësisë tranzicionale që nënkuptonte automatikisht mbyllje të institutit, dhe sipas tij hulumtimi i krimeve të luftës nuk mund të bëhet edhe për këto 30 vitet e ardhshme.Tutje ai përmend edhe ndryshimet e qeverive brenda një viti dhe punën që dy partitë kanë bërë në këtë drejtim.

“Dhe duke e parë këtë reagimin tim, por edhe të mirëkuptimit prej intelektualëve, dhe disa pjesëmarrësve të partive politike, në fushatën parazgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje u vu si program i punë së kësaj qeverie edhe themelimi i Institutit për krime të Luftës, kështu që në atë kohë mjaftë të shkurtër sa ishte kryeministër Albin Kurti e formoj një grup punues për përgatitjen e rithemelimit të këtij instituti, mirëpo siç dihet ajo qeveri pati jetëshkurtër dhe ajo punë mbeti pa u realizuar me sukses, e tani sërish ka filluar një iniciativë e këtyre që gjenden tani në shkuarje e sipër për themelimin e këtij instituti”, deklaroi ai.

Salihu bën thirrje që kjo tendencë apo punë e partive politike të ndalet, sepse sipas tij ka një turbulencë të madhe politike dhe kjo punë nuk mund të bëhet si duhet, tek pas themelimit të qeverisë ai shpreson që hulumtimin e krimeve të luftës ta marrin më seriozisht dhe urgjentisht të ri-themelohet instituti.