17:18 / E Martë, 24 Korrik 2018 / indeksADMonline

Samir Mane viziton fabrikën e Feronikelit: Do ta zgjerojmë kapacitetin prodhues (Foto)

NewCo Ferronikeli Complex LLC” zyrtarisht është blerë nga NKL Limited, me seli në Mbretërinë e Bashkuar që kontrollohet nga Balfin Group, udhëhqës i së cilës është njeriu më i pasur në Shqipëri, Samir Mane.

Indeksonline nga disa burime brenda fabrikës merr vesh se Samir Mane sot gjatë ditës ka qëndruar në kompani, tashmë si aksionar i saj.

Po ashtu, ai është takuar me disa nga punëtorët, me ç’rast ka realizuar edhe fotografi të cilat ua sjellim më poshtë.

Pas marrjes nën kontroll të kësaj fabrike, Samir Mane është deklaruar për herë të parë, duke shprehur angazhimin që sa më shpejtë të rifillojë prodhimi që është ndalur që gati më shumë se pesë muaj.

Në këtë deklaratë zyrtare që ka siguruar Indeksonline, thuhet se NKL dhe Menaxhmenti tani po ecin përpara me shpejtësi për rifillimin e prodhimit në fabrikë dhe janë duke vepruar fuqishëm në drejtimin për të ri-kthyer NeëCo Ferronikelin si një prodhues dhe eksportues kryesor të ferronikelit ne nivel global.

“Ne kemi shpresa të mëdha për NewCo Ferronikelin dhe besojmë se është një investim kyq në Kosovë që ka potencial të jashtëzakonshëm. Ne dëshirojmë të falënderojmë të gjithë personat e përfshirë në bërjen e kësaj të mundshme dhe presim me kënaqësi të punojmë me një ekip të mrekullueshëm në udhëheqjen e këtij biznesi. Ne synojmë që gradualisht të zgjerojmë kapacitetin prodhues, të investojmë në zhvillimin e teknologjisë dhe të vazhdojmë të rrisim Kompaninë dhe biznesin e saj në baza të qëndrueshme “, ka thënë Samir Mane, aksionari kryesor i NKL Limited.

Përmes kësaj deklarate zyrtarë është bërë e ditur se kompania NKL Limited ka blerë 100% aksionet e Ferronikelit.

“NKL Limited, shumica e aksioneve të cilat janë në pronësi të “Balfin Group”, është një kompani e specializuar ne fushën minerare dhe metalurgjike, me seli në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo kompani ka blerë 100% të aksioneve të NewCo Ferronikeli Complex LLC. NKL Limited ka marrë kontrollin e NewCo Ferronikelit pas ekzekutimit të marrëveshjeve të detyrueshme dhe së bashku me Menaxhmentin e Kompanisë është duke u përkujdesur për të gjitha përgjegjësitë në baza ditore”, thuhet në këtë deklartë për Indeksonline.

Menaxhmenti i kompanisë është mirënjohës për mbështetjen e plotë që është duke pranuar nga aksionerët e saj të rinj dhe së bashku me Balfin dhe NKL Limited dëshirojnë të shprehin vlerësimin e tyre për punonjësit, partnerët, institucionin bankar, kontraktuesit, furnizuesit dhe të gjithë komunitetin e Republikës së Kosovës. Balfin dëshiron të shpreh mirënjohje per mbështetjen e vazhdueshme që Qeveria e Republikës së Kosovës ka dhënë në ekzekutimin e blerjes dhe mirëpret investimet tona të fundit në vend.

“NKL dhe Menaxhmenti tani po ecin përpara me shpejtësi për rifillimin e prodhimit në fabrikë dhe janë duke vepruar fuqishëm në drejtimin për të ri-kthyer NewCo Ferronikelin si një prodhues dhe eksportues kryesor të ferronikelit ne nivel global” theksohet tutje në këtë shkrim.

NewCo Ferronikeli është një nga kompanitë më të mëdha minerare dhe metalurgjike në Ballkan në fushën minerare si dhe eksplorimin e xehes të nikelit dhe në përpunimin e saj për të prodhuar ferronikel që destinohet për eksport në tregjet ndërkombëtare. Kompania operon me një shkritore moderne, zotëron asete minerare për nevojat e saj të prodhimit dhe drejtohet nga një ekip i udhëheqësve dhe ekspertëve në fushën e metaleve dhe minierave.

Ndërsa, Balfin është një nga kompanitë më të mëdha private në Evropën Juglindore me investime dhe operime të rëndësishme në pasuri të paluajtshme rezidenciale dhe komerciale, shitblerje, miniera dhe shkritore./Indeksonline/

 

 

‘NKL Limited’ me drejtor Samir Mane zyrtarisht blenë fabrikën Ferronikel (Dokument)