20:38 / E Mërkurë, 21 Tetor 2020

SBASHK-u ‘lutet’ që të mos ndërpritet mësimi në shkolla, ai online shumë sfidues

Nga 14 shtatori, pas gjashtë muajve jashtë bankave shkollore, nxënësit kosovar iu rikthyen mësimit.

Pandemia Covid-19, që po vazhdon edhe mëtej të jetë prezente, ka ndikuar në rrjedhën edhe të procesit mësimor. Tani ka filluar të shfaqen edhe raste nëpër shkolla të ndryshme të Kosovës, ku si mësimdhënës ashtu edhe nxënës janë prekur nga Covid-19, shkruan IndeksOnline.

Se si po ecën rrjedha e këtij procesi dhe se a është situata nën kontroll, ka folur për IndeksOnline, kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jashari.

Ai tha se ndonëse nuk posedojnë me statistika për numrin e të infektuarve deri më tani në nivel vendi, situata aktualisht është nën kontroll.

Jashari ka bërë të ditur se vazhdimisht janë në kontakt me kolegët nëpër shkolla të Kosovës dhe se deri më tani nuk është raportuar për shkelje të mëdha.

“Ne jemi zotuar të mos i përziejmë detyrat por, vetëm vazhdimisht jemi në kontakt me kolegët .Gjendja është solide, në kushtet që i ka vet shteti, janë task forcat dhe të nivelit komunal dhe i raportojnë task forcës që është në kuadër të MASHT-it”, tha Jashari.

I pari i SBASHK-ut tutje theksoi se është i bindur që me këtë trend nuk do të ketë mbyllje totale të shkollave, por se ka frikën se mësimi do të zhvendoset në atë online, kur kemi parasysh rastet e shumta që tashmë janë duke shpërthyer në plotë vende evropiane.

“Ajo që e di është së mësimi nuk ndërpritet por ka raste që kur paraqiten prekje kalojnë në mësimin online. Në situatën aktuale mund të konsiderojmë se situata është e sigurt për momentin por nëse bazohemi në vendet e Evropës, nëse kjo ndodh edhe tek ne, besoj që MASHT dhe IKSHPK-ja do ta shqyrtojnë situatën.

Mirëpo shpresoj të mos bëhet sërish mësimi në sistemin online. Kjo pasi që është shumë vështirë të realizohet kjo formë e mësimit tek ne. Përkundër kësaj mësimdhënësit tanë do ta kryejnë detyrën e tyre dhe do të bëjnë të pamundurën”, nënvizoj Jashari.

Në anën tjetër IndeksOnline është përpiqur ta ketë edhe një përgjigje nga ana e MASHT-it në lidhje me të dhënat që posedojnë por se ata kanë qenë të pa qasshëm./IndeksOnline/