12:21 / E Hënë, 29 Nëntor 2021 / Medina Shala

Scholz i Gjermanisë nënshkruan marrëveshjen për t’i dhënë fund epokës së Merkelit

Olaf Scholz është gjermani që do të jetë në krye të koalicionit trepartiak, pas përfundimit të mandatit 16 vjeçar të Angela Merkel.

Ky koalicion trepartiak po synon të shtyjë Gjermaninë drejt tranzicionit në një ekonomi të gjelbërt.

Sipas BBC, Scholz, së bashku me Demokratët e Lirë dhe të Gjelbrit, kanë vendosur në qendër të kolaicionit të tyre mbrojtjen e klimës.

Palët synojnë që të heqin përdorimin e qymyrit deri në vitin 2030, saktësisht tetë vite para synimit paraprak të shtetit.

Ata gjithashtu do të kërkojnë të përdorin 2% të territorit gjerman për energjinë e erës dhe të fokusohen gjithashtu në energjinë e bazuar në hidrogjen. Deri në vitin 2030, palët duan që 80% e energjisë elektrike të sigurohet nga energjia e rinovueshme dhe 15 milionë makina elektrike të jenë në rrugët gjermane.

Meqë Gjermania është ekonomia më e madhe e Evropës, ky tranzicion do të ndikojë edhe te shtetet fqinje.

Scholz ka fatin që të marrë shtetin në dorë në një kohë jo të lehtë për vendin, për shkak të pandemisë, sidomos rritjes së numrit të infektimeve.

Megjithatë, ai tha se do të rrisë administrimin e vaksinave dhe do të vëjë në konsideratë detyrimin për të marrë vaksinën për stafin shëndetësor dhe punonjësit e tjerë thelbësorë.

Në planin e tij qeverisës, përveç klimës dhe pandemisë, Scholz planifikon të vëjë në “binarë” edhe çështjet me emigrant, me paga, politika të jashtme, votime, e të tjera.