Scholz kërkon zgjidhje paqësore mes Kosovës e Serbisë
Kancelari gjerman Olaf Scholz bëri thirrje të mërkurën për një zgjidhje paqësore të konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë.
“Për mua është shumë e rëndësishme që situata të mos eskalojë më tej kur bëhet fjalë për Serbinë dhe Kosovën. Bëhet fjalë për një zgjidhje paqësore dhe kjo është ajo që ne jemi shumë të përkushtuar. Gjermania, Franca dhe Italia janë veçanërisht aktive në këtë drejtim”, tha Scholz në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin bullgar Nikolai Denkov.
Ai shtoi se çështja do të diskutohet gjithashtu të enjten dhe të premten kur udhëheqësit nga afro 50 vende evropiane të takohen në Granada, Spanjë.
Më herët gjatë ditës, një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme gjermane e quajti tërheqjen e trupave të Serbisë nga kufiri me Kosovën një “hap të rëndësishëm”, por i kërkoi Beogradit të bëjë më shumë për të de-përshkallëzuar tensionet me fqinjin e tij.
Duke folur për mediat në Berlin, Kathrin Deschauer tha se situata në rajon është “mjaft shqetësuese” në vazhdën e raundit të fundit të dhunës vdekjeprurëse në veri të Kosovës.
“Serbia e ka për obligim që pa mëdyshje të bëjë thirrje për heqjen dorë nga dhuna. Në përgjithësi, situata është sigurisht e tensionuar. Shenjat e para të reduktimit të trupave serbe janë një hap i rëndësishëm drejt de-përshkallëzimit. Megjithatë, ne duam të theksojmë sërish se tani duhet të ndërmerren hapa të mëtejshëm drejt de-përshkallëzimit”, tha ajo.