75 Mall Live Search
18:53 / E Premte, 14 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Së shpejti përcaktohet lokacioni për shtatoren e Majlinda Kelmendit

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur sot në takim kryetarin e Federatës së Xhudos të Kosovës Agron Kuka, përzgjedhësin e Kosovës në xhudo Driton Kuka si dhe xhudistët që kanë fituar normën olimpike për Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.

Ministrja Dumoshi ka uruar Distria Krasniqi për medaljen e artë dhe Nora Gjakova për medaljen e bronztë në Grand Slamin e xhudos më 8 – 9 shkurt në Paris.

“Vajzat dhe djemtë tanë po na bëjnë krenarë me punën luftarake të tyre, në lojërat të ndryshme ndërkombëtare dhe ky sukses nuk do të ishte po të mos kishin mbështetjen dhe përkushtimin tuaj si tuaj”, tha ministrja Dumoshi.

Ajo tha me se sukseset e arritura, xhudistët e Kosovës po i bëjnë nder vendit dhe po e promovojnë e forcojnë imazhin e saj në arenën ndërkombëtare.

“Duke pasur parasysh që këtë vit i kemi edhe lojërat olimpike, është e rëndësisë së veçantë që vendi ynë të përfaqësohet sa më suksesshëm duke dëshmuar edhe njëherë se kemi talente në sport”, u shpreh ministrja Dumoshi duke u zotuar se MKRS do të mbështesë sportistët për faktin se po i sjellin vendit medalje e suksese.

Ndërsa, kryetari Federatës së Xhudos të Kosovës Agron Kuka kërkoi nga ministrja Dumoshi që edhe në të ardhmen të vazhdojë bashkëpunimi reciprok, në mënyrë që bashkërisht të arrihen suksese.

Dumoshi ka bërë të ditur se shumë shpejt do t’i bëhet edhe zgjidhja e përcaktimit të lokacionit për vendosjen e shtatores së Majlinda Kelmendit, të cilën Federata Ndërkombëtare e Xhudos e ka sjellë në Kosovë për nder të xhudistes sonë me renome ndërkombëtare.

Në takim u diskutua edhe për Qendrën Kombëtare të Xhudos, e cila së shpejti do të fillojë së ndërtuar në Pejë dhe ku ministria do të japë kontributin e saj.