75 Mall Live Search
12:12 / E Premte, 05 Qershor 2026 / L A

Arbitrimi shqiptar në Evropianin U17, Florian Lata do gjykojë finalen Belgjikë-Itali

Finalja e Kampionatit Evropian të Futbollit për Grupmoshën U17 mes Belgjikës dhe Italisë që po zhvillohet në Estoni do të gjykohet nga një arbitër shqiptar.

UEFA-ja ka përzgjedhur pikërisht Florian Latën si gjyqtarin kryesor të sfidës mes 17 vjeçarëve belgë dhe atyre italianë.

Finalja mes Belgjikës dhe Italisë do të luhet më 7 qershor në stadiumin “Lilleküla staadion” në Talin, në orën 19:00. Florian Lata do të ndihmohet në këtë ndeshje nga asistenti shqiptar Mario Shazivari dhe ai nga Serbia, Nikolla Boroviq, ndërsa arbitër i katërt është Thomas Gary Owen nga Uellsi.

Florian Lata ka gjykuar edhe ndeshje të tjera gjatë këtij turneu siç ishte ndeshja hapëse mes Estonisë dhe Kroacisë, ndërkohë që ai gjykoi edhe në sfidën mes Francës dhe Malit të Zi. Fakti që UEFA-ja i besoi finalen e madhe të turneut flet për punën e mirë të bërë prej tij gjatë këtij kompeticioni të rëndësishëm për këtë grupmoshë.