11:26 / E Enjte, 06 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Së shpejti sezoni i tretë i “The Voice Kids”, Arilena Ara trajnerja e re

Pritjes po i vjen fundi dhe shumë shpejt sezoni i tretë i “The Voice Kids” do t’i hapë dyert emocioneve dhe aventurave të reja.

Trajnerët janë gati të ulen në karriget e kuqe për të rrëmbyer në skuadrat e tyre zërat më të mirë. Talentet e vegjël janë duke u ushtruar në prova për të dhënë më të mirën e tyre në fazën e parë, atë të Audicioneve të Fshehura që do të nisë së shpejti.

Miriam Cani, Aleksandër e Renis Gjoka dhe trajnerja që i bashkohet për herë të parë këtij spektakli, Arilena Ara, na kanë zbuluar sa të emocionuar janë për këtë udhëtim të ri të “The Voice Kids” dhe për njohjen me konkurrentët që do të garojnë…

Miriam Cani: “Jam shumë e lumtur që do të nisim sërish aventurën më të bukur televizive bashkë. Të punosh me fëmijë është një mrekulli dhe argëtim pafund. Tani që Ameli është rritur pak do e kem disi problem se ka filluar të bëhet xheloze për mua (qesh) ,por padyshim që dhe ajo do të dashurohet shumë shpejt me fëmijët e mrekullueshëm të “The Voice Kids”, madje do filloj ta marr me vete në prova që të përgatitet dhe ajo për audicionet e viteve të ardhshme. Pres me padurim të dëgjoj zërat e rinj dhe të njoh engjëjt e vegjël që padyshim do më bëjnë të dashurohem pafundësisht me ta. Vjet për mua ka qenë eksperienca më e bukur televizive dhe jam e bindur që këtë vit do jetë akoma edhe më bukur. Të punosh me fëmijë është fat dhe një shkëmbim i vazhdueshëm dashurie dhe energjie pozitive që të bën ta duash profesionin tënd. #skuadramiriam është gati!”

Aleksandër dhe Renis Gjoka: “Po presim me padurim për të njohur talentet e rinj. Emocionet sigurisht që janë shumë të mëdha, duke patur parasysh eksperiencën e sezonit të kaluar. Strategjia jonë si karrige e dyfishtë do të variojë nga situatat që do të paraqiten gjatë spektaklit por gjithsesi kemi një këshillë të rëndësishme për talentet që janë në konkurrim: Ata që do të vijnë në ekipin tonë, të mbledhin forcat sepse i pret një punë shumë e madhe por edhe argëtuese, sikurse vitin e kaluar.”

Arilena Ara: “Ndjesia është e papërshkrueshme, shumë e bukur, plot emocion, adrenalinë dhe padiskutim lumturi. Kam përqendruar të gjithë energjinë time në këtë udhëtim dhe mendoj se është vendi i vetëm ku dua të jem, përkrah fëmijëve të vegjël e të talentuar!”