16:35 / E Mërkurë, 22 Mars 2023 / S Z

Sefer Isufi emërohet këshilltar ushtarak i Presidentes

Me kërkesë të Presidentes së Republikës së Kosovës, njëherësh Komandantes Supreme të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Vjosa Osmani, FSK ka dërguar gjeneral brigade Sefer Isufi, anëtar i personelit ushtarak të shërbejë si këshilltar ushtarak i Presidentes.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se gjeneral brigade Sefer Isufi, ka përvojë të gjatë ushtarake dhe është i diplomuar në fushën e sigurisë në Kolegjin e Luftërave Tokësore, pastaj në Universitetin e Mbrojtjes së Turqisë, respektivisht Institutin për Komandim dhe Drejtim Strategjik të Forcave të Armatosura në Stamboll.

Përgjatë karrierës së tij në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneral Isufi ka realizuar detyra me përgjegjësi të lartë në hartimin e politikave dhe planeve të mbrojtjes, si dhe zbatimit të tyre në nivel strategjik dhe operacional.

“Presidentja Osmani, duke i uruar mirëseardhje Gjeneral Isufit, ka theksuar se përvoja e tij profesionale do te kontribuojë edhe më shumë në zhvillimin dhe zbatimin e politikave shtetërore në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë”, thuhet në njoftim. /Indeksonline/