21:27 / E Enjte, 27 Shtator 2018 / indeksADMonline

Sejdiu: Takimi Mustafa-Kurti jo i sinqertë, e duan PSD-në inekzistente

Deputeti i PSD-së, Dardan Sejdiu ka thënë se pa një bashkëpunim të sinqertë opozitar nuk mund të rrëzohet qeveria aktuale.

Ai në “Dossier D” ka thënë se edhe pse për momentin PSD-së nuk i konvenojnë zgjedhjet, ky subjekt ka dhënë nënshkrimet e 12 deputetëve të saj për rrëzimin e qeverisë.

“Neve nuk na konvenojë që zgjedhjet të ndodhin sot, por situata ka degradua. Meqë ka degradua situata ne po ofrohemi të bashkëpunojmë”, tha ai.

Deputeti opozitar ka thënë se takimet e Mustafës me Kurtin janë sa për të mobilizuar elektoratin e tyre dhe nuk janë të sinqerta.

“Bashkëpunimi i tyre nuk është i sinqertë, takimet po i bëjnë vetëm për të animuar tifozët e tyre. Kjo nuk është rruga e duhur për të ecur përpara”.

Sejdiu ka thënë se dy subjektet opozitare LDK dhe Vetëvendosje dëshirojnë ta bëjnë PSD-në inekzistente.

“Ne këtë betejë do ta bëjmë edhe në kuvend edhe jashtë kuvendit, nëse duan bashkëpunim në u ofrojmë bashkëpunim, nëse nuk duan ne do të jemi këtu dhe do të punojmë”, tha ai.