10:34 / E Enjte, 08 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Selimi: Duhet merren masa serioze për zhvillimet e fundit në Inspektoratin e Policisë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka bërë thirrje që të shkarkohen nga detyra të gjithë bashkëpunëtorët që kanë të bëjnë me zhvillimet e fundit në Inspektoratin Policor.

Gjatë seancës plenare në Kuvend, Selimi ka thënë se po dëshmohet se i gjithë shteti është i kapur, pasi që nuk po ndërmerret asgjë për skandale të cilët po dalin nëpër media, siç është edhe ajo e Inspektoratit Policor, transmeton Indeksonline.

“Sa i përket skandalit të Inspektoratit të Policisë nuk është bërë asgjë. Kryesie i veprës penale është zëvendësuar me një bashkëpunëtor të kryerjes së veprës. Ky gabim duhet të korrigjohet dhe të shkarkohen të gjithë që janë të përfshirë.  Në një vend ku dëgjojmë në media skandale si të inspektoratit policor dhe nuk ndërmerret asgjë, nuk kemi se si ta quajmë ndryshe përveç se një krim të organizuar. Kështu duket shteti i kapur”, ka thënë Selimi.

Duke cekur se këto probleme janë të trashëguara, Selimi i bëri thirrje ministrit të Brendshëm, Flamur Sefaj që të ndërmarrë masa.

“Ministri e ka rastin ta tregojë vetën dhe e ka mbështetjen tonë që të merr masa. E dimë që i ka trashëguar këto probleme, por ai duhet të marrë masa”, ka thënë ai.

Ndryshe, duhet cekur se më parë është publikuar një bisedë mes kryeshefit Hilmi Mehmeti dhe disa vartësve të tij ku dëgjohet presioni që u bën atyre për  të ndikuar në punësime./Indeksonline/