Selimi kërkon dorëheqjen e Qeverisë pas dështimit të fundit të diplomacisë
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga Lëvizja Vetëvendosje, Rexhep Selimi në seancën për politikë të jashtme, ka thënë se politikanët që gjendeshin në Dubai për të pritur anëtarësimin e Kosovës në Interpol më shumë janë mërzitur që ka dështuar konferenca sesa anëtarësimi.
Selimi ka thënë se Pacolli e Thaçi nuk i janë mërzitur mos anëtarësimit në Interpol, por iu ka dështuar paraqitja para gazetarëve.
“Pacolli e Thaçi nuk janë mërzitur për dështimin për anëtarësim në Interpol. Janë mërzitur për shkak se kanë dështuar të dalin para gjithë atyre gazetarëve që i kishin marrë me veti, u mërziten për konferencën”, ka thënë Selimi, raporton Indeksonline.
Ai ka shtuar se zgjedhjet janë zgjidhja e vetme për të dalë nga kjo situatë në të cilën gjendet Kosova.
“Dorëheqja e Qeverisë është zgjidhja e duhur në këtë kohë, në këtë kohë kur Qeveria nuk po mundet të menaxhoj skandalet e le më shtetin. Dorëheqja do t’i nderonte këta, por edhe do të shpëtohej Kosova. Zgjedhjet janë zgjidhja”, ka përfunduar Selimi./Indeksonline/