13:40 / E Enjte, 15 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Selimi liston ngecjet e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë e deri më tani (Video)

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka mbajtur një konferencë për media në emër të VV-së për të shënuar 10 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Ai në pika të shkurtra ka bërë edhe rikapitullimin me të arritura dhe të metat që e kanë përcjellë Kosovën gjatë këtyre viteve, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e deri më tash.

Ai ka filluar me të arritura, që sipas tij nuk janë të shumta. Kështu ai ka renditur edhe numrin e njohjeve të Kosovës si e arritur, por duke shtuar se nuk është i mjaftueshëm për të parë Kosovën aty ku e meriton.

“Po fillojmë me të arriturat që nuk janë të shumta. Kemi rreth 115 vende të cilat e kanë njohur Kosovën, nuk po them rastësisht rreth sepse jo rrallë herë është spekuluar për këta numra. Megjithatë, ky nuk është një numër i mjaftueshëm dhe i nevojshëm për të arritur Kosova aty ku duhet. Nganjëherë në listën e të arriturave, në mungesë të të tjerave jemi të detyruar të përmendim medaljet e arta të Majlinda Kelmendit”, ka thënë ai.

Ndërsa, çka Kosova nuk bëri këto vite, sipas Selimit është një listë e gjatë.

“Kosova pati shumë stagnime, dhe stagnimi i parë filloi me hapjen e negociatave me Serbinë menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Pra ishin ato që e kontestuarn Pavarësinë e Kosovës. Pra Qeveria e kontestoi këtë gjë. Si pasojë e bisedimeve me Serbinë janë arritur edhe shumë marrëveshje, që të gjitha bashkë janë në dëm të Kosovës. Si pasojë kemi pasur edhe ndarjen jo zyrtarisht në Mitrovicë. Kemi pasur një rënie drastike të njohjeve të Kosovës. Pra këto i solli rinegocimi me Serbinë”, është shprehur ai.

Sipas tij, paralelisht ka ndodhur edhe keqqeverisja nga të gjitha ata që kanë qeverisur deri më tani.

“Paralelisht ka ndodhur edhe keqqeverisja, diku më shumë e diku më pak, por të cilat kanë shkaktuar edhe korrupsion dhe krim të organizuar dhe ato vazhdojnë të jenë përcjellësi i qeverisjes në Kosovë. Papunësia është rritur në shkallë alarmante; Ka pasur edhe marrëveshje të dëmshme për Kosovë, si Asociacioni dhe Demarkacioni. Gjithsesi në fushën e dëmeve që i kanë shkaktuar gjatë kësaj periudhe është edhe Gjykata Speciale. Nuk do donim t’i listonim këto, por ato nuk mund t’i fshihemi. Në rrugën e integrimeve evropiane Kosova ka stagnuar dhe nuk ka arritur të bëj hapin e duhur. Kemi stagnuar edhe në anëtarësimin tonë në UNESCO. Kemi dështuar të bëjmë ushtrinë e Kosovës, edhe pas 10 viteve nuk e ka ushtrinë dhe si rezultat kemi mbetur vendi më i izoluar në Evropë”, ka thënë ai.

Gjithashtu ai ka përmendur edhe heqjen e flamurit kombëtarë në hyrje të Prishtinës.

Sipas tij, heqja e flamurit po shihet më shumë se sa një promovues kundër shtetit të Shqipërisë sesa Serbisë.

“Heqja simbolike e flamurit kombëtarë në hyrje të Prishtinës, e ka nxjerr Kosovën më shumë si promovuese kundër shtetit të Shqipërisë sesa Serbisë. Kemi kërkuar ta kthejmë flamurin nga kryeministri aty ku ka qenë dhe të zhbëj atë vendim të padrejtë”, ka deklaruar Selimi. /Indeksonline/