18:28 / E Martë, 26 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Deputeti i Vetëvendosjes për shfuqizimin e Speciales: Ndoshta do ta nënshkruanim

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se iniciativa e së premtes së javës së kaluar për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale nuk ka qenë befasi.

“Nuk mund ta quaj befasi sepse nuk është hera e parë që mazhoranca ka tentuar të bëjë diçka në këtë rast. Edhe në fund të mandatit të kaluar ka pas nëpër korridore diskutime, që të bëhet diçka e tilla. Nuk është iniciativa e parë”, ka thënë Selimi, njofton Klan Kosova.

“Është çështje korridoresh dhe jo befasi”, ka pohuar ai.

“Dua të sqaroj se Lëvizja Vetëvendosje e ka qëndrimin e njëjtë për Gjykatën Speciale ashtu si më 2015. Ne jemi kundër, e kemi votuar kundër dhe asnjë herë me votën tonë nuk do ta mbajmë kurdo që na vjen mundësia”.

Se pse deputetët e Vetëvendosjes nuk kanë qenë pjesë e listës me 43 nënshkrime, Selimi ka thënë se atyre nuk iu është ofruar diçka e tilla.

“Nuk e di ndoshta do ta nënshkruanim, por jo me iniciativa konspirative sikur atë natë”, ka deklaruar Selimi.

“Atë natë erdhi me aq nguti dhe domosdoshmëri që të votohet atë, sikur të kalonte një afat kushtetues a ligjor. Në aspektin e procedimit ishte konspirative. Nëse ka qenë kaq për ngut pse nuk erdhi të nesërmen pse nuk është sot?”.

“Mund të kemi kurdo seancë”.

“Mos të harrojmë që ka disa javë që ka dalë një peticion përmes OVL së UCK-së për shfuqizimin e kësaj gjykate. Në peticion thuhet se ka qenë për plotësim-ndryshim. Kujt do që inicion procedura normale, Lëvizja Vetëvendosje e ka të njëjtin qëndrim – kundër Gjykatës Speciale”, ka pohuar ai ndër të tjera.