13:52 / E Enjte, 01 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Selmanaj dyshon se faktori njeri ka gisht në ndotjen e ajrit

Deputeti i LDK-së Driton Selmanaj, dyshon se faktori njeri ka gisht në ndotjen e ajrit në Prishtinë.

Sipas tij, nga ata që janë ekspertë të kësaj fushe ka marrë informacione se vetëm bora, shiu dhe era e largojnë ajrin e ndotur, derisa, dje dhe sot pa borë pa shi dhe me erë të lehtë, ajri ka filluar të pastrohet.

Selmanaj dyshon se faktori njeri po i ndalë me qëllim filtrat në termocentralet Kosova A dhe B, pasi sipas informatave që ka marrë ato harxhojnë shumë energji.

“Njerëzit që marrin vesh në këtë fushë po me thonë kështu, duhet të bie borë, shi, në mënyrë që të së paku të filloj pastrimi i ajrit. Të ne as borë, as shi, me frymë krejtësisht minimale, ajri po fillon të pastrohet. Madje me këtë ritëm ne do ta kalojmë edhe Oslon dhe vendet tjera ku niveli është katër ose pesë. Dhe çka me shtynë të dyshoj këtu, mos është i involvuar faktori njeri në këtë farë tematike. Mos dikush atje në termocentralet tona po i ndal qëllimshëm filtrat që të mos funksionojnë. Këtu ka vend edhe për hetuesinë që të shkon, sepse mora disa informata sepse për të operu ato filtra duhet sasi e madhe e energjisë, harxhojnë shumë, konsumojnë energji shumë dhe dikush me qëllim i ndalë. Sikur sot dhe dje i lëshuan ato dhe tash ajri filloi, ose them kemi një ajër që duhet të na marrin lakmi tjerët, thuajse kjo tematikë humbi relevancën pse duhet diskutuar sot”, tha Selmanaj.

Deputeti Selmanaj, madje tha se nga dje ka filluar të ndihet inferior, pasi nuk e ka ditur se Kuvendi paska kaq shumë ekspertë të ambientit.

“Po të dëgjohen me kujdes të gjithë deputetët prej dje edhe sot, besoni më tepër po me asocon këtu sikur me qenë një simpozium shkencor se sa në fakt një institucion përfaqësues politik. Unë fillova prej dje të ndihem inferior se nuk e paskam ditur se kaq shumë eksperta të ambientit paska në Kuvend. Besoni se do të na kenë zili edhe forumet ndërkombëtare të nivelit global kur diskutojnë për ngrohjen globale dhe mbrojtjen e ambientit”, shtoi ai.