10:37 / E Mërkurë, 20 Dhjetor 2017 / k.v

Sëmundja e Parkinsonit: Si proteinat toksike dëmtojnë qelizat e trurit të shëndetshëm

Për herë të parë, studiuesit kanë vështruar proteinat toksike dhe ndërlidhjen e tyre me sëmundjen e Parkinsonit, si dhe implikimit që kanë në trurin e shëndosh të njeriut.

Të gjeturat e reja tregojnë se ‘oligomerët’ dëmtojnë integritetin e membranave qelizore, transmeton Indeksonline.

Një raport mbi zbulimin e ri të kryer nga studiuesit nga Mbretëria e Bashkuar, Spanja dhe Italia dhe botuar në revistën Science,- përshkruan se çfarë ndodh kur proteinat vijnë në kontakt me qelizat.

Autori i studimit të parë, Dr Giuliana Fusco nga Universiteti Imperial dhe Universiteti i Kembrixhit, të dy këto në Britani të Madhe  thotë se shkencëtarët shpresojnë se gjetjet do të çojnë në përmirësimin e ilaceve për sëmundjen e Parkinsonit që ndalon proteinat toksike nga futja në qelizat e shëndetshme të trurit.

Parkinsoni është një sëmundje që gradualisht shkatërron qelizat e trurit të cilat prodhojnë një element të rëndësishëm të njohur si dopaminë, që është i rëndësishëm për kontrollin e lëvizjes.

Simptomat,  të cilat zhvillohen ngadalë dhe përkeqësohen me kalimin e kohës,  përfshijnë ekuilibrin e dobësuar, ngurtësinë, ngadalësinë e lëvizjes, dridhjet dhe problemet me të folurit dhe gëlltitjen.

Hulumtuesit kanë zbuluar gjithashtu se Parkinson ndikon në qelizat e trurit që nuk kanë dopaminë, gjë që mund të shpjegojë pse sëmundja shpesh ka simptoma që nuk kanë të bëjnë me lëvizjen, siç janë ankthi, depresioni, lodhja dhe përçarja e gjumit.

Mendohet se më shumë se 10 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë me sëmundjen e Parkinsonit, duke përfshirë rreth 1 milion në Shtetet e Bashkuara.

Megjithëse më së shpeshti godet pas moshës 50 vjeçare, rreth 10 për qind e rasteve të sëmundjes së Parkinsonit diagnostikohen tek njerëzit e moshës më të re./Indeksonline/