09:49 / E Enjte, 23 Shtator 2021 / AR

Serbët s’heqin dorë nga protesta, shtohet numri i kamionëve me të cilat është bllokuar rruga

Bllokada e qytetarëve serb në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak po vazhdon edhe sot, radhazi për katër ditë.

Pavarësisht motit të ftohtë e reshjeve të shiut ata janë të vendosur të mos lëvizin në të dy pikëkalimet kufitare, në shenjë proteste për vendosjen e reciprocitetit për targa të Serbisë.

Sipas Kosovo Online, bllokada është rreth tre kilometra e gjatë, kurse mbrëmë qytetarët serb shtuan numrin e kamionëve dhe i vendosën për të bllokuar trafikun.

Në Jarinjë dhe Bërnjak janë vendosur edhe forca të shumta të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, por që deri tani nuk ka pasë asnjë incident përpos provokimeve të herëpashershme nga protestuesit.

Sipas vendimit, veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikë kalimet kufitare të Kosovës.

Këto targa të përkohshme po u vendosen veturave në xhamat para dhe prapa.

Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë./Indeksonline/