23:36 / E Martë, 06 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Serbia e ‘merr në pyetje’ ambasadorin francez për flamurin e Kosovës në katedralen Notre-Dame

Ambasadori i Francës në Serbi, Frédéric Mondoloni, është detyruar të japë shpjegime për vendosjen e flamurit të Republikës së Kosovës në katedralen Notre-Dame, në Paris, gjë që nxiti shumë reagime në Serbi.

Mondoloni ka thënë për Radio Televizionin e Vojvodinës se presidenti i vendit të tij, Emmanuel Macron, ka ftuar, në një ceremoni që do të mbahet për të shënuar fundin e Luftës së Parë Botërore, të dielën e ardhshme, përveç Kosovës, edhe shumë shtete të tjera që nuk kanë ekzistuar gjatë LPB, për shkak se ceremonia ka për qëllim të “shënojë paqen”.

Vendimi i Vuçiqit për të marrë pjesë në këtë ceremoni është i duhuri, përndryshe do të kishte qenë i padrejtë ndaj viktimave serbe, ka vlerësuar Mondoloni.

“E di se nuk ka qenë e lehtë ajo që ka ndodhur me flamurin e Kosovës”, është shprehur ai, teksa ka lavdëruar Vuçiqin për konfirmimin e pjesëmarrjes së tij në këtë ceremoni, përkundër pakënaqësisë me vendosjen e simboleve të Kosovës.

Franca, ka thënë Mondoloni, nuk e vë kurrë në dyshim rolin dhe sakrificat e Serbisë në luftën e madhe.