14:20 / E Diele, 22 Korrik 2018 / indeksADMonline

Serbia përdorë armët për të penguar njohjen e Kosovës, reagon MPJ

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin e thellë mbi publikimin e dëshmive bindëse nga Organizatat kredibile ndërkombëtare, siç është Amnesty International se armatimi i prodhuar në shtetin serb vazhdon të përdoret nga disa shtete afrikane, të cilat bëjnë shkelje sistematike të të drejtave të njeriut dhe madje përdoren edhe nga luftëtarët e Organizatës Terroriste, Boko Haram.

MPJ thërret Komunitetin Ndërkombëtarë që të rrisë kontrollin, verifikimin dhe mbikëqyrjen e sjelljeve dhe veprimeve të tilla të shtetit serb në kontinentin afrikan, të cilat në mënyrë të tërthortë i kontribuojnë abuzimeve të të drejtave themelore të njeriut dhe kërcënimit serioz të paqes dhe sigurisë, transmeton Indeksonline.

Dikasteri qeveritar që udhëhiqet nga Behgjet Pacolli vlerëson se publikimi i këtyre dëshmive forcon bindjen se Serbia ka përdorur dhe po përdorë shitjen dhe faljen e armëve si mjet të diplomacisë për të joshur disa shtete jo-njohëse të Republikës së Kosovës në kontinentin afrikan, që mos të ndërmarrin një hap të tillë./Indeksonline/