21:21 / E Mërkurë, 28 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Serbia refuzon tu përgjigjet tërësisht kërkesave të MD-së për vrasjen e Ivanoviqit

Ministria e Drejtësisë tashmë ka arritur të marrë dy përgjigje për kërkesat që i janë dorëzuar Ministrisë së Drejtësisë në Serbi lidhur me rastin e vrasjes së liderit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Nga pesë kërkesa sa ishin dorëzuar tërësisht, Ministria e Drejtësisë në Kosovë ka marrë vetëm dy përgjigje prej tyre.

Këtë e ka konfirmuar për Indeksonline vetë Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

“Nga pesë kërkesat që kemi dërguar tek autoritetet serbe në lidhje me rastin e Oliver Ivanoviq, kemi pranuar përgjigje për vetëm dy prej tyre”, ka thënë Tahiri.

Gjithashtu ai ka shtuar se janë në pritje të përgjigjeve të tjera edhe për tri kërkesat e tjera që janë dërguar nga Ministria e Drejtësisë.

Ndryshe Ministri Tahiri ka theksuar se detajet e tjera lidhur me rastin e Oliver Ivanoviq do të bëhen të ditura me kohën.

Më 21 shkurt të këtij muaji, Gjykata e Apelit lidhur me këtë rast kishte vendosur që të refuzonte kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit kundër të dyshuarve (policë serbë) Zh.J dhe D.M.

I pari dyshohej për veprën penale ‘Manipulim me prova’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve’. Ndërsa i dyti dyshohej për veprën penale ‘Manipul me prova’.

Përpos dy personave të lartcekur, Policia e Kosovës nuk kishte bërë të ditur për ndonjë person tjetër të dyshuar apo të arrestuar lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviq më 16 janar 2018, para zyrës së tij në veri të Mitrovicës./Indeksonline/