20:30 / E Shtunë, 28 Prill 2018 / indeksADMonline

Serbia shtyp të drejtat e shqiptarëve në Preshevë

Më shumë se gjysma e shqiptarëve të Preshevës janë shpërngulur nga Lugina. Kjo për shkak të qasjes së serbëve ndaj tyre, të cilëve po u pamundësohet edhe kthimi në vendbanimet e tyre.

Ish kryetarja e Preshevës, tani anëtare e Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Ardita Sinani në një intervistë për Indeksonline ka thënë se integrimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore e publike është vetëm simbolik, ku në disa institucione shumë të rëndësishme shtetërore dhe publike nuk është i punësuar asnjë shqiptarë.

Ajo thotë së sa ishte kryetare ka kërkuar nga Qeveria Serbe punësimin e të rinjëve shqiptarë në institucione, mirëpo këto kërkesa ishin injoruar.
Sinani ka theksuar se çështja e të rinjve të diplomuar ende nuk është zgjidhur.Sipas saj, kjo ndërlidhet me shpërnguljen e të rinjëve, mos integrimin në institucionet shtetërore e publike në Serbi.

Më poshtë mund ta lexoni intervistën e plotë:

Indeksonline: Si një ish kryetare e Preshevës, a mund të na tregoni si e keni parë trajtimin dhe qasjen e serbeve ndaj shqiptarëve të Luginës?

Unë pata rastin që në një periudhë të shkurtër, 6 muaj, gjegjësisht që nga 10 marsi e deri në 14 shtator të vitit 2016 të jem në krye të ekzekutivit në komunën e Preshevës. Gjatë kësaj periudhe kisha mundësinë të kem takime të rëndësishme me krerët më të lartë shtetëror të Serbisë, duke filluar që nga presidenti i Serbisë, ministra, por edhe me ambasador e diplomat ndërkombëtarë të akredituar në Beograd.Në takimet me krerët institucional të Serbisë kam hasur në një mospërputhje drastike në mes të qasjes deklarative dhe hapave konkret në teren. Unë jam pjesë e një partie politike që ka shtrirje në tri komunat e Luginës së Preshevës , e cila që nga themelimi i saj e deri më sot është angazhuar në mbrojtjen e substancës kombëtare të Shqiptarëve në përgjithësi në Serbi, e në veçanti në Luginë të Preshevës dhe në zgjidhjen e problemeve jetike të Shqiptarëve në mënyrë institucionale dhe transparente. E potencova këtë jo pa shkas, sepse që të jem shumë e sinqertë, për fat të keq në trojet tona veprojnë edhe grupacione politike, siç është rasti me subjektin që aktualisht udhëheq me ekzekutivin e komunës së Preshevës, që në të gjitha deklaratat publike fajëson vetëm spektrin politik shqiptarë në Luginë të Preshevës për gjendjen e krijuar, dhe paturpësisht e amniston udhëheqjen shtetërore serbe.

Meqenëse integrimi i Shqiptarëve në institucionet shtetërore e publike është vetëm simbolik, ku në disa institucione shumë të rëndësishme shtetërore dhe publike nuk është i punësuar asnjë Shqiptarë, gjatë vitit 2016, unë në cilësinë e kryetares së komunës së Preshevës në bashkëpunim edhe me kryetarin e komunës së Bujanocit dhe deputetin popullor iu drejtuam me kërkesë konkrete Qeverisë serbe për punësimin dhe integrimin e të rinjve Shqiptarë në këto institucione. Qeveria serbe këto kërkesa konkrete nuk i mori parasysh dhe i injoroi, përkundër kësaj në ato institucione i punësoi Serbët nga qytete si Nishi, Leskovci e Surdulica.

Gjithashtu në qasjen jo serioze të organeve shtetërore serbe ndaj pakicës shqiptare në Luginë të Preshevës, kanë ndikuar jashtëzakonisht shumë edhe raportet jo normale në mes të Kosovës dhe Serbisë gjatë tërë kohës, duke u reflektuar me pasoja skajshmërisht negative në Luginë të Preshevës.
Është e qartë se është interes jetik që dialogu i Brukselit të rezultojë me rezultat konkret në drejtim të normalizimit të raporteve Kosovë – Serbi apo në përgjithësi në relacionet shqiptaro – serbe. Mirëpo është absurd të pritet një normalizim i plotë nëse në Luginë të Preshevës vazhdojmë të kemi një trajtim diskriminues ndaj Shqiptarëve. Absurdi është edhe më i madh nëse këto probleme të ndieshme nuk zgjidhen në këtë kohë kur tanimë janë hapur kapitujt 23 e 24 të rrugëtimit evropian të Serbisë, kur Serbia është në monitorim të plotësimit të kushteve të parapara me këto kapituj e në veçanti të plotësimit të obligimeve që i ka ndaj pakicave nacionale në Serbi, andaj edhe ndaj Shqiptarëve në Serbi të cilët në Luginë të Preshevës paraqesin shumicë absolute të popullatës.

Për ta kompletuar këtë pasqyrë të zymtë është e domosdoshme të theksohet edhe problematika shumë e ndjeshme e mungesës së teksteve për shkollat fillore dhe të mesme, që kishte filluar që nga viti 1991, në kohën e krizës arsimore që e shkaktoi Millosheviqi në Kosovë, por edhe pamundësia e përdorimit zyrtarë të simboleve kombëtare.

Indeksonline: A ka rënie të numrit të shqiptarëve në Luginë, pasi po thuhet se një numër i madh i tyre janë shpërngulur?

Komuna e Preshevës fatkeqësisht nuk ka ndonjë organ i cili merret me statistika, sidomos sa i përket numrit të shpërngulurve nga Lugina e Preshevës. Mirëpo, si pasqyrë më e saktë apo si pikë reference gjithherë mirret numri i paraleleve dhe i nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme të Luginës së Preshevës. Nga viti në vit numri i nxënësve dhe i paraleleve në këto shkolla të Luginës të Preshevës shënon rënie, që është tregues i pamohueshëm se në vazhdimësi kemi shpërngulje të banorëve Shqiptarë nga Lugina e Preshevës. Një pjesë e të shpërngulurve si destinacion kanë zgjedhur Republikën e Kosovës, e shumë të tjerë Evropën perëndimore. Tragjedia më e madhe është fakti se këta të shpërngulur shteti serb ka filluar tash e sa vite t’i shlyej nga evidenca, edhe pse ata vazhdojnë të kenë pronat dhe patundshmëritë e tyre në vendbanimet e veta. Faktikisht këta persona janë shndërruar në persona juridikisht të padukshëm, sidomos temë e ndjeshme është çështja e Shqiptarëve të larguar nga Lugina e Preshevës gjatë luftës në Kosovë dhe konflikteve të armatosura në Zonën e Sigurisë Tokësore në Luginë të Preshevës.

Pikërisht mosgatishmëria për zgjidhjen e këtij problemi nga ana e organeve shtetërore në Serbi ishte shkaku kryesor që Shqiptarët në vitin 2011 e bojkotuan regjistrimin e popullatës, të cilën organet shtetërore në Serbi e shfrytëzuan për degradimin e mëtejshëm të pozitës së Shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Shembulli më drastik është vazhdimi i reduktimit të institucioneve gjyqësore në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë që filloi në vitin 2008 e përfundoi në vitin 2013.
Republika e Kosovës brenda Qeverisë së saj ka edhe Ministrinë për kthim, bartës të së cilës kanë qenë në çdo rast pjesëtarët e pakicës nacionale serbe që jetojnë në Kosovë. Ju e dini se gjatë të gjitha legjislaturave në kuadër të kësaj Ministrie janë ndërmarrë hapa të ndryshëm për krijimin e kushteve për kthimin e serbëve të shpërngulur nga Kosova. Shteti serb deri më tani nuk ka zhvilluar asnjë projekt që do t’i paraprinte krijimit të kushteve për kthimin e Shqiptarëve të dëbuar dhe të shpërngulur nga trojet e veta, gjë për të cilën kishte marrë obligim me marrëveshjet e nënshkruara pas përfundimit të konfliktit të armatosur në Luginë të Preshevës, dhe ku ndërmjetës kanë qenë edhe faktori ndërkombëtarë.

Përkundrazi, në fund të vitit 2016 shteti serb, nëpërmjet udhëheqjes së papërgjegjshme të pushtetit lokal të Preshevës imponoi Planin Aksional për avancimin e pozitës së migrantëve, ku pos migrantëve nga Lindja e Afërt dhe e Mesme, parashihej krijimi i kushteve për vendosjen, ndërtimin e shtëpive, krijimin e marrëdhënieve të punës dhe të gjitha kushtet e tjera për jetesë për Serbët e shpërngulur nga Kroacia, Bosnja dhe Kosova.

Procesit të shpërnguljes i ka kontribuar në veçanti qasja shtetërore ndër vite ndaj pakicës kombëtare shqiptare, qasje e cila ka sjellë në degradimin ekonomik të kësaj treve. Lugina e Preshevës është përjashtuar nga çdo mundësi e shfrytëzimit të IPA fondeve të Unionit Europian për bashkëpunim ndërkufitar dhe ndërajonal, sepse ky bashkëpunim vite me radhë zhvillohet me të gjithë fqinjët tjerë por jo me Kosovën për shkaqe politike që janë të njohura, por as me Maqedoninë, për të vetmen arsye që të mos përfitojë komuna e Preshevës, e cila është e banuar me popullsi absolute shqiptare. Në këto rrethana sot kemi shkallë rekorde të papunësisë që është rreth 70 %.

Në këtë kontekst duhet theksuar edhe gjendja ekonomike katastrofale, si pasojë e mungesës së investimeve nga nivelet qendrore dhe pengesave burokratike në qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave në drejtim të Maqedonisë e posaçërisht në drejtim të Kosovës, që është pasojë në radhë të parë e militarizimit të rajonit, e në veçanti të Zonës së Sigurisë Tokësore, përkatësisht hapësirës në gjerësi prej 5 km nga kufiri i Kosovës.
Me pak fjalë, lirisht mund të thuhet se pozita aktuale e Shqiptarëve në Luginë të Preshevës është nën nivelin e pozitës që ata e kishin në vitet e 70’ta të shekullit të kaluar.

 

Indeksonline: A njihen diplomat e qytetarëve përfundojnë shkollimin në Kosovë dhe sa iu jepet hapësirë në tregun e punës/Institucione?

Problemi i të rinjve të diplomuar, në veçanti të atyre të rinjve të diplomuar në Universitetet e Republikës së Kosovës është ndër më të ndjeshmit, e që mos zgjidhja e tij domosdo ndërlidhet qoftë me shpërnguljen e të rinjve Shqiptar, qoftë me mos integrimin e tyre në institucionet shtetërore e publike në Serbi. Ky problem në fakt kishte filluar nga periudha 1991 – 2001, e që prapë u ripërsërit si problem pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Në bisedimet e Brukselit, problemi i njohjes reciproke të diplomave ka qenë tema ndoshta më e trajtuar deri më tani, mirëpo mjerisht nuk ka dhënë ndonjë rezultat konkret, kryesisht mos implementimi i kësaj marrëveshje nga ana e Beogradit zyrtar. Fillimisht ishte arritur një marrëveshje që filloi të aplikohet me anë të zyrës SPARK dhe Asociacionit të Universiteteve evropiane, mirëpo ky aktivitet u ndërpre me vendimin e prillit të 2014 të Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, e cila këtë marrëveshje e shpalli antikushtetuese. Pas këtij vendimi kjo temë është trajtuar edhe në takimet tjera të delegacioneve të Kosovës e Serbisë në Bruksel dhe ka pasur paralajmërime optimiste se kjo problematikë shumë e ndjeshme do të zgjidhjet, mirëpo jemi dëshmitarë se edhe deri në këto momente diplomat e Universiteteve të Kosovës nuk njihen në Serbi.

Kjo është një shkelje e të drejtave elementare të njeriut, sepse që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës të rinjtë Shqiptarë që kanë diplomuar në Universitetet e Republikës së Kosovës nuk mund të krijojnë marrëdhënie pune në institucionet e Luginës së Preshevës.

Indeksonline: Çfarë është bërë me fondin prej 100 mijë eurosh që ishte ndarë në mbledhjen e dy qeverive Kosovë-Shqipëri?

Në takimin e përbashkët të Qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë të 11 janarit të vitit 2014 u mor vendim për ndarjen e mjeteve në lartësi prej 100 mijë eurove. Kjo shumë është fakt se është simbolike duke ditur nevojat e banorëve të Luginës së Preshevës, mirëpo duhet vlerësuar lartë si një hap drejt rritjes së mbështetjes institucionale të Shqipërisë dhe Kosovës për Luginën e Preshevës. Sa kam informacione ky fond nga pushteti i atëhershëm lokal ishte përdorur për rregullimin e maternitetit të komunës së Preshevës.
Meqenëse në vazhdimësi pozita e Shqiptarëve në Luginë të Preshevës po vazhdon të degradohet, tashmë më shumë se kurrë kemi nevojë që të përkrahemi me projekte tjera nga Tirana dhe Prishtina zyrtare, në mënyrë që të ruhet substanca kombëtare dhe të jenë shpresë për Shqiptarët e Luginës së Preshevës. Pavarësisht pozitës ekonomike të Kosovës dhe Shqipërisë, shto kësaj edhe problemet e Kosovës me mos zbatimin e marrëveshjeve nga ana e Serbisë, mendoj se do të ishte e një vlere të veçantë përpilimi i një Platforme kombëtare për Shqiptarët që jetojnë në rajon, e sidomos për Shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët gjinden brenda një shteti diskriminues./Indeksonline/