75 Mall Live Search
16:00 / E Premte, 31 Gusht 2018 / indeksADMonline

Kërkohet që Presheva të trajtohet si tërësi, zgjidhjet parciale të pa pranueshme

Një ndër temat e cila po vazhdon të diskutohet ditëve të fundit në opinion është ideja e Presidentit Hashim Thaçi për përcaktimin e kufirit me Serbinë. Thaçi këtë ide e ka paraqitur jo si ndarje e shkëmbim, por siç thotë ai korrigjim të kufijve.

Ish kryetarja e Preshevës, tani anëtare e Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Ardita Sinani për Indeksonline e pyetur se si e sheh debatin mbi këtë temë që aktualisht po zhvillohet, ka thënë se përkrahin idenë që Lugina t’i bashkohet Kosovës.

Ajo ka thënë se Beogradi nuk ka treguar asnjëherë vullnet dhe gatishmëri për të krijuar hapësirë të integrimit të barabartë të shqiptarëve.

“Ne kemi përkrahë idenë e Presidentit Thaçi që Lugina e Preshevës t’i bashkëngjitet Kosovës. Kjo është edhe një kërkesë e shqiptarëve që buron nga Referendumi 1 dhe 2 Marsi i vitit 1992, është dëshirë e popullatës shqiptare. Në 17 vite dialog që kemi udhëhequr me Serbinë për tu integruar, asnjëherë, Beogradi zyrtarë nuk ka treguar vullnet dhe gatishmëri serioze për të krijuar hapësirë të integrimit të barabartë të shqiptarëve. Shqiptarët konsiderohen si element i huaj dhe i padëshirueshëm, si të këtillë i jemi nënshtruar diskriminimit sistematik shtetëror që nga vitet e 1990”, ka thënë Sinani.

Mirëpo, ajo ka theksuar se kërkesa e tyre është që Lugina të trajtohet si tërësi, përndryshe zgjidhjet parciale nuk i pranojnë.

“Ne mirëpresim mundësinë e bashkimit me Kosovën, por, duhet shtuar se kërkesa jonë e qartë është që Lugina e Preshevës të trajtohet si tërësi, sepse zgjidhjet parciale, që mund ta copëtojnë atë, nuk janë të pranueshme”, ka shtuar ndër të tjerash ish-kryetarja e Preshevës.

Ndërkohë, kancelarja gjermane, Angela Merkel ka thënë se pranon çfarëdo zgjidhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mirëpo, ka shtuar se shembullin e ndryshimit të kufijve të mos e ndjekin shtetet e tjera. Për këtë, Sinani thotë se tash kur kjo temë ka dalë në sipërfaqe, pritet një qëndrim definitiv i BE-së dhe SHBA-së, si fuqinë më relevante për të ndikuar në statusin e Kosovës.

“Ndryshimi i kufijve deri më tani ka qenë një tabu temë, askush nga Bashkësia ndërkombëtare as që ka dëshiruar për ta biseduar këtë temë. Tash, që kjo ide ka dalë në sipërfaqe dhe po diskutohet për të, pritet të shohim qëndrimin definitiv të Bashkësisë ndërkombëtare dhe në radhë të parë të SHBA, si fuqinë më relevante për të ndikuar në statusin e Kosovës”, ka shtuar Ardita Sinani.

Ndryshe, ideja e shkëmbimit të territoreve është paraqitur nga Presidenti Thaçi, mirëpo kjo nuk ka gjetur përkrahjen e faktorit politik. Ndërsa, dje kryeministri Haradinaj në prani të kryeministrave të tjerë dhe përfaqësuesve të BE-së, ka komentuar deklaratat e fundit rreth kufijve të Kosovës.

Haradinaj ka deklaruar se Kosova i ka kufijtë e vetë me Serbinë dhe shtetet e tjera. “Kosova i ka kufijtë e vet me Serbinë, me Shqipërinë, me Malin e Zi dhe me Maqedoninë. Ne i respektojmë këto kufij dhe nuk kemi nevojë për dizajnim të ri”, ka thënë kryeministri Haradinaj./Indeksonline/