75 Mall Live Search
21:36 / E Martë, 28 Gusht 2018 / indeksADMonline

Serie A lejon edhe një sponzor në fanellat e klubeve

Siç lexohet në komunikatën zyrtare, klubet e Lega-s Kombëtare të Profesionistëve të Serisë A do të mund të përdorin “në mëngën e majtë të fanellës një hapësirë 100 cm² për të reklamuar një sponsor”.

Kështu, klubet e kategorisë kryesore të futbollit italian do të kenë një burim të ri të ardhurash, edhe pse nuk do të bëhet fjalë për një shumë marramendëse, duke parë hapësirën e vogël në dispozicion. Por, gjithsesi, do të jetë një ndihmë për klubet e vogla të Serisë A.

Klubet mund të vendosin marka komerciale në pjesën e përparme, duke zënë një hapësirë deri në 350 cm², në të cilën nuk mund të përfshijnë më shumë se dy sponsorë, dhe pjesën e pasme, poshtë numrit, duke vendosur një sponsor në një hapësirë 200 cm².

Me këtë ndryshim të ri, do të shkojnë në pesë sponsorët për skuadrat e Serisë A, siç ndodh në Francë, Gjermani, Angli dhe Spanjë. Çfarë hapësire tjetër ka mbetur për t’u shfrytëzuar? Pranohen baste, pjesa e jakës, pantallonat, sepse mënga e djathtë është zënë nga stema e Serisë A.