20:00 / E Martë, 28 Qershor 2022 / Gj. Sh

Serie A ndryshon rregulloren për titullin në rast pikësh të barabarta

Këshilli Federal në Itali ka vendosur të ndryshojë disa rregulla në Serie A, teksa mes atyre për të bërë të përhershëm numrin pesë të zëvendësimeve bie në sy mënyra e re se si do të vendoset titulli në rast se dy skuadra e mbyllin kampionatin në të njëjtën kuotë pikësh.

Nëse më parë, merrej në konsideratë ndeshja direkte mes dy skuadrave dhe golavarazhi, tashmë në rast se dy ekipe e mbyllin kampionatin në barazim pikësh, atëherë do të luajnë një ndeshje teke për të përcaktuar fituesin. Kështu, një ndeshje e vetme ku fituesi merr gjithçka teksa në rast barazimi brenda 90-minutave, atëherë ndeshje do t’i drejtohej menjëherë penalltive pa luajtur kohën shtesë.

Në fakt, nuk është hera e parë që një rregull i tillë aplikohet në Itali, pasi vitin 1964 fituesi i Serisë A u zgjodh pikërisht në këtë formë. Në atë periudhë, Inter u mposht nga Bologna në Olimpico me rezultatin 2-0 me kuqeblutë që i morën kurorën zikaltërve. Kujtojmë se Serie A në këtë sezon do të startojë më datë 14 gusht dhe do të mbyllet më datë 4 qershor.