11:06 / E Diele, 07 Mars 2021 / Blerim

Sërish vjen marsi sërish vjen stina

Jonuz Salihaj

Muaji mars është muaj përkujtimi i Epopesë së Jasharëve, muaj i reflektimi për të arriturat tona  në liri, muaji i një analize të  thellë për të arriturat tona në arsim, muaji kur MASH,  shpërblen mësuesin/en me emrin e kolosit të luftës Shaban Jashari i cili mbi të gjitha ishte mësues, muaji i nënës,  e cila gjithnjë e më shumë është e brengosur për mënyrën e edukimit të fëmijve të saj, pra muaji kur ne si komb,  duhet të bëjmë një metanjohje për të arriturat dhe ngecjet tona si komb në fushën e arsimit.

Jo rastësisht e titullova këtë vështrim, serish vjen marsi, serish vjen stina sepse edhe 22 vite pas luftës clirimtare, edhe pas marsit të 22, sistemi jonë arsimor lëngon nga e njejta sëmundje –joefikasiteti.

Ditën e mësuesit, 7 marsi po e shënojmë në Kosovë, pas një fushate të zhurshme, me shumë premtime në këtë fushë, të cilat përseritën vetëm gjatë zgjedhjeve dhe harrohen menjëherë posa të bëhen të ditura rezultatet e tyre.

Zakonisht debatuesit e shumtë i prekin prioritetet në arsim vetëm gjatë debateve televizive prandaj në shumicën e rasteve ato i ngatërrojnë, nuk shpalosin objektiva, pra arritje të matshme dhe nganjëherë nuk i kuptojnë as nivelet e arsimit.

Kam përcjellë shumë debate të partive politike për arsimin, në fushatën që sapo e lamë pas dhe kam dëgjuar se prioritetet absolut i tyre ka qenë edukimi parshkollor, por asnjëri prej tyre, duke përfshirë edhe përfaqësues me përgatitje të larta akademike, nuk e dinin se kemi të bëjmë me nivelin 01 dhe 02 të arsimit,  sipas Klasifikimit të Ri Ndërkombëtarë të Arsimit, pra moshat 0-3 dhe 3-6 vjeç të fëmijëve.

Të gjithë premtonin ndërtimin e çerdheve dhe kopshteve, në vend që të angazhoheshin për ndarjen e fondeve për komunat, sepse arsimi parashkollor është kompetencë e tyre ose në të kundërtën, duhet të angazhoheshin për ndryshimin e  Ligjit për Arsimin Parashkollor, në mënyrë që kjo kompetencë të kaloj në nivelin qëndror.

Kemi dëgjuar edhe premtime të tilla si ndërtimin e 160 institucioneve të reja parashkollore, premtim ky i paanalizuar dhe krejtësisht joseriozë, kur dihet se për realizimin e tij nevojitën mbi 120 milion euro, që buxheti i Kosovës nuk mund ta përballoi në kushte  pandemie.

Të gjithë deklaronin dhe e konsideronin prioritet arsimin dhe aftësimin profesional dhe që të gjithë, i ngatrronin drejtimet me lëmenjtë e punës. Të njejtën gabim e bënë edhe MASH-i  cili në rubrikën, Statistikat, për lëmenjtë e punës përdor termin drejtime. Dihet se drejtimet ekzistojnë në shkollat e përgjithëshme-gjimnazet, kurse lëmenjtë e punës sipas nomenklaturës së profesioneve, përdorën për shkollat profesionale.

Pra si të arsyetohet fenomeni që të ashtuquajturit ekspertë të partive që konkurojnë për poste të larta qeveritare nuk i kuptojnë as konceptet themelore të sistemit tonë arsimor.

Muaji i Epopesë së Jasharajve na përkujton eksperimentin gjenocidail serbomadh me mbi 7000  fëmijëve të helmuar, qindra mësimdhënësve të vrarë, dëmeve të palogaritshme materiale dhe traumave të shumta me pasoja afatgjata.

Përvjetori  i 144 i shkollës shqipe të Korçës dhe sakrifica e patriotit Pandeli Sotiri me shokë,  duhet të shërbejë si motivim për një ndryshim thelbësor të gjendjes në arsim. Shembëll tjetër i motivimit të fuqishëm për ndryshime pozitive në arsim paraqet përkushtimi historik dhe sakrifica e mësimdhënësve të vitetev të 90-ta për mbajtjen gjallë të arsimin shqip në Kosovë si shembëll unikat në historinë botërore të arsimit.

Duke investuar në arsim ne investojmë në themelet e shtetit tone të ri. Ishte pikërisht shkolla shqipe që motivojë të rinjtë t’i bashkangjiten UÇK. Beteja u fitua por lufta përfundimtare fitohet vetëm atëherë kur krijojmë një sistem arsimor gjithëpërfshirës, që garanton formimin cilësorë të gjithë individve, duke kultivuar të nxënit gjatë gjithë jetës dhe vlera të larta të qytetarisë demokratike.

Realizimi i këtij misioni mund të bëhet duke realizuar:

  • gjithëpërfshirjen në të gjitha nivelet e arsimit, posaçërisht në edukimin e hershëm, 0-6 vjeç,
  • ndryshimin e legjislacionit, në të gjitha nivelet e arsimit,
  • krijimin e një organogrami të ri të organizimit të MASH-it,
  • profilizimin e institucioneve të arsimit të lartë e tj.

Natyrisht që ndryshimet e tilla mund të bëhen me njerëz kompetent, që janë lider të pakontestuar në fushën e arsimit, pra kuadro që janë në gjendje të administrojnë, të menaxhojnë por mbi të gjitha të udhëheqin sistemin arsimor, pra njerëz që kan ndikim, sepse udhëheqja mbi të gjitha është ndikim, udhëheqja me zemër është dashuri ndaj vartësve  dhe profesionit, ndaj bashkpunëtorëve sepse siç thonte John Maxwell “ Është e panevojshme të thuhet se njerëzit mund t’i doni edhe nëse nuk jeni udhëheqës, por nuk mund t’i udhëhiqni nëse nuk i doni”.

Prandaj nuk mjafton vetëm një program i mirë pasi mënyra e realizimit të tij në praktikë varet nga njerëzit që janë bartës të tijë, kuadro karizmatikë që kanë aftësi, njohuri dhe shkathtësi të jetësojnë ndryshimin në praktikë.

Mbetet të shifet se cilën formulë do të zbatojnë bartësit e ri të pushtetit, atë të urrejtjes dhe hamarrjes, pasi siç deklaronte i madhi Faik Konica “Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar”, apo të bashkëveprimit dhe bashkëpunimit.
Shpresojmë shumë se do të zgjedhet rruga e dytë.

Shfrytëzoj rastin që të uroj të gjthë veteranët e arsimit, mësimdhënsit e të gjtha niveleve të arsimit, bartësit e institucioneve qendrore dhe lokale të arsimit, Gëzuar 7 Marsi,  duke shpresuar se edukimi dhe arsimi  më në fund do të trajtohet si prioritet kombëtar.