20:52 / E Hënë, 11 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Server: Maqedonia brenda pesë viteve pjesë e BE-së

Analisti politik, Daniel Server konsideron se Maqedonia në qershor do t’i fillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe për pesë vite do të jetë nga fundi i procesit për anëtarësim.

Server është profesor i studimeve ndërkombëtare në Universitetin “Xhon Hopkins” dhe njohës i mirë i ngjarjeve në Ballkan.“Nuk jam në biznesin e parashikimeve, por konsideroj se më realiste është që Maqedonia brenda pesë viteve të jetë në fund të procesit për anëtarësim në BE”, deklaroi Server për MIA-n.

Ai shtoi se kjo do të varet shumë nga stabilizimi i klimës vendore politike që do të mundësonte implementim me kohë të reformave. “Lidhur me anëtarësimin në BE, Maqedonia është përballë dy sfidave, implementimit të ‘Akis’ (të drejtat dhe obligimet e përgjithshme të detyrueshme në të gjitha vendet anëtare të BE-së), si dhe pavarësia e gjyqësisë. Nëse këto reforma, të ashtuquajtura shtylla rezistuese të një ndërtimi, implementohen me kohë, Maqedonia është në rrugë të sigurt të bëhet anëtare e BE-së”, deklaroi Server.