22:37 / E Hënë, 18 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Shakohoxha tregon dallimet mes Kosovës dhe Shqipërisë

Në një lidhje direkte në Pressing të T7 nga Shqipëria, Dritan Shakohoxha ka deklaruar se pas disa vitesh, shqiptarët do të kenë një Kombëtare.

Ai pati vetëm fjalë pozitive për Kosovën dhe progresin që kanë bërë ndër vite, derisa pa reshtur shprehu dëshirën për të pasur vetëm një Kombëtare.

“Jam shumë i lutur që kemi një shans që shqiptarët të përfaqësohen në evropianin e ardhshëm. Kjo skuadër ka bërë një fushatë shumë të bukur, emociononte. Për mendimin tim i ka dhënë besim dhe gëzim popullit të Kosovës”, u shpreh Shakahoxha.

“Dallimi Kosova – Shqipëri? Kosova e shfrytëzoi shumë mirë Ligën e Kombeve, ngriti moralin e skuadrës dhe emrin e futbollistëve. Ata që janë sot nuk ishin në fillim, si Muriqi, Rashica. Të gjithë kanë pasur progres, bashkë me Kosovën, me lojëra të mira janë rritur edhe më shumë. Sot, kjo skuadër është shumë më e mirë se në ato eliminatore me Bunjakin që po e krijonte ekipin”.

Shakahoxha,  foli edhe për emërimin në stol të Bernard Challandes, sipas të cilit, ishte vendimi më i mirë dhe e ndryshoi skuadrën.

“Challandes ka bërë një punë të mrekullueshme, është gjeniale që zotëri Fadil Vokrri e ka marrë Bernard Challandesin”, u shpreh Shako.

Ndër të tjera, ai e pranoi se tani për tani – Kosova qëndron më mirë se Shqipëria.

“Kosova është më mirë se Shqipëria për shkak të rritjes së progresit që kanë pasur futbollistët e Kosovës”.

Shakahoxha nuk ka asnjë dyshim, së shpejti do të jemi një Kombëtare. “Do të jemi një skuadër, edhe kur të bashkohemi do të luajmë me 11 lojtarë. Unë jam i bindur se eliminatoret e botërorit të dytë të ardhshëm, shqiptarët do të kenë një skuadër. Do të bëhemi një shtet”.