Shala: Fondi Sovran dëmton konkurrencën, investimet private, ndërmarrjet publike dhe buxhetin e shtetit!
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Ferat Shala, ka thënë se Fondi Sovran dëmton konkurrencën, investimet private, ndërmarrjet publike dhe buxhetin e shtetit!
Shala ka thënë se edhe pse Fondi Sovran thuhet se do të jetë institucion i pavarur, ligji përcakton se çdo veprim strategjik i Fondit bëhet në koordinim me Qeverinë, kështu që, Fondi Sovran është vetëm instrument i Qeverisë për të kontrolluar ndërmarrjet publike dhe për të favorizuar ndërmarrje të caktuara private.
“Kjo mund të vërehet edhe me faktin se Kuvendi i Kosovës, përmes mazhorancës qeverisëse, parashihet të ushtrojë detyrat e kuvendit të aksionarit të Fondit”, ka shkruar Shala në Facebook.
Postimi i plotë i Shalës:
Fondi Sovran dëmton konkurrencën, investimet private, ndërmarrjet publike dhe buxhetin e shtetit!
Disa komente për këtë Projektligj:
1. Qeveria i shpall disa kompani private si “Sipërmarrjet kampione” neni 32 , në të cilat investon Fondi Sovran. Pra, Qeveria përcakton se cilat kompani private përfitojnë nga investimet e Fondit. Ky veprim e kufizon drejtpërdrejtë konkurrencën e lirë. Për më tepër, kjo çasje paraqet kapje të sektorit privat nga Qeveria sipas modelit kinez të kapitalizmit shtetëror.
2. Neni 26 paragrafi 4; “Ndërmarrjet publike në kuadër Fondit Sovran mund t’i japin hua njëra tjetrës”.
Kjo politikë ekonomike e sistemit të kaluar , ku ndërmarrjet shtetërore të atëhershme e financonin njëra-tjetrën derisa i gjithë sistemi ekonomik dhe financiar i asaj kohe kolapsoi nga joefiçiencat masive.
3. Edhe pse Fondi Sovran thuhet se do të jetë institucion i pavarur, ligji përcakton se çdo veprim strategjik i Fondit bëhet në koordinim me Qeverinë, kështu që, Fondi Sovran është vetëm instrument i Qeverisë për të kontrolluar ndërmarrjet publike dhe për të favorizuar ndërmarrje të caktuara private. Kjo mund të vërehet edhe me faktin se Kuvendi i Kosovës, përmes mazhorancës qeverisëse, parashihet të ushtrojë detyrat e kuvendit të aksionarit të Fondit.
4. Neni 7.3 specifikon se Fondi ushtron veprimtarinë në kushte të barabarta të tregut. Por të gjitha aranzhimet në kuadër të ligjit përcaktojnë se ky Fond është mbi; ligjin për shoqëritë tregtare, ligjin për AKP-në, ligjin e prokurimit, ligjin e punës dhe ligjin për ndërmarrjet publike.
Këto aranzhime ligjore për Fondin Sovran nënkuptojnë se po krijohet një entitet që nuk do të përfill parimet bazike të rregullativës ekonomike.