23:36 / E Enjte, 26 Mars 2020

Shala: Unë kam besu në atë qeveri, kam ba veprim të mirë që s’e kam votu mocionin

Ardian Shala, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës mbrëmë votoi kundër rrëzimit të qeverisë Kurti.

Ai në Klan Kosova, ka thënë se jemi në demokraci dhe se mendimi është i lirë, derisa i njëjti tregoi se pse doli kundër këtij mocioni.

“Unë kam pas besim në këtë qeveri. Ne jemi pjesë e partisë, por jemi zgjedh nga populli. Jemi në demokraci dhe jemi rrit me këtë frymë në LDK ku liria e shprehjes dhe fjalës ka qenë gjithnjë.

Unë konsideroj që kemi ba një vendim vetanak me votën tonë, bazuar në rrethanat që janë, pasi që të gjithë e dimë që po ballafaqohemi me një pandemi ku numri i të infektuarve po rritet.

Duke qenë në një gjendje të tillë, është dashur që kjo mos të bëhej në këtë kohë”, ka thënë deputeti, përcjellë Indeksonline.

Ai tutje ka shtuar edhe pse s’është pajtuar me veprimin arbitrar të Kurtit duke shkarkuar ministrin Agim Veliu, por se është dashur t’i jipej edhe një mundësi.

“Nuk jam pajtu me sjelljen e Kurtit për shkarkimin e Veliut, por sado pak ndikoi për një akt tjetër, atë të mocionit. Besoj që s’jam një njeri që të mirret vendimi me nxitim për akte të tillë, por t’i ipet një shansë edhe koha do ta dëshmonte që të tejkalohej ky moment i nxituar.

Mendoj që qytetarët kanë prit të jetë Qeveri e Shpresës, projektet e mëdha s’duhet humbur për një potez. As mua s’me ka pëlqy e thashë mënyra arbitrare se si e ka shkarkuar Veliun.

Mendoj që kam ba veprim të mirë që s’e kam votu, ai është mendimi im. Një nga arsyet e mija që nuk e kam votu ka qenë edhe ajo se çka tutje?

Kjo më ka bërë të paqartë edhe ata nuk e dinë, por kanë thënë duhet me rrëzu këtë qeveri s’e ka ba kështu këshut”, ka thënë deputeti Shala./Indeksonline