22:18 / E Shtunë, 03 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Shaqiri: Meritoj respekt, jam fitues i Ligës së Kampionëve

Xherdan Shaqiri është një nga lojtarët më të mirë në botë me origjinë shqiptare. Futbollisti me prejardhje kosovare ka arritur të luaj në disa skuadra të mëdha, si Bayern, Inter apo aktualisht Liverpool.

Ai ka fituar çdo gjë si një futbollist në nivel klubesh, përfshirë këtu dhe Champions League me skuadrën e Bajernit të Munichut.

Në një intervistë të dhënë së fundmi, lojtari ka shprehur dhe mendimin e tij për rënien nga kategoria e skuadrës së Stoke City.

“Rënia nga kategoria me Stokun ishte një eksperiencë e keqe për klubin dhe për mua dhe unë shpresoj që ata të kthehen përsëri në Premier Ligë sa më shpejt të jetë e mundur. Por pavarësisht asaj që ndodhi, unë jam fitues i Champions League. Dhe unë mendoj se kjo kërkon respekt. Njerzit duhet të kujtojnë ku kam luajtur unë më parë, cilësitë që unë kam dhe ato çfarë unë kam arritur. Unë kam luajtur për skuadrën më të madhe në botë në Munich dhe përsëri po luaj me një nga ekipet më të mëdha. Kështu që unë nuk ndjej ndonjë presion nga fanella e Liverpoolit. Kur kthehem në Munich, fansat më tregojnë se sa i dashur jam unë atje, dua që kjo të ndodh edhe këtu. Pse jo edhe për herë të dytë?” – u shpreh Xherdan Shaqiri. /IndeksOnline/