17:57 / E Enjte, 16 Maj 2019 / indeksADMonline

SHBA, 50 të arrestuar për martesa për Green Card

Më shumë se 12 persona u paraqitën për herë të parë këtë javë përpara një gjykatë federale në shtetin jugor të Teksasit në lidhje me atë që prokurorët thonë se është një “skemë mashtrimi në shkallë të gjerë” që përfshin martesa të rreme si një mënyrë për të përfituar banim të përhershëm në Shtetet e Bashkuara.

Autoritetet amerikane kanë arrestuar deri më tani 50 nga rreth 100 persona të akuzuar për krime që përfshijnë martesë të rreme, mashtrim postar, mashtrim të autoriteteve të emigracionit, gënjeshtra të thëna nën betim si dhe frikësim dëshmitarësh. Proceset e para gjyqësore janë planifikuar të fillojnë në fund të muajit qershor.

Sipas një aktpadie të një jurie të madhe të paraqitur javën e kaluar, pjesë të së cilës nuk janë ende publike, skema shtrihej në Teksas edhe në Vietnam.

Sipas dosjes gjyqësore bëhet fjalë për një marrëveshje sipas së cilës ata që donin të marrnin një status të përhershëm banimi në Shtetet e Bashkuara i kanë paguar nga 50 në 70 mijë dollarë një organizate që drejtohej nga Ashley Yen Nguyen.

Personat që paguanin lidheshin me një qytetar amerikan, i cili rekrutohej nga organizata, e që merrte një pjesë të pagesës. Në disa raste rekrutoheshin edhe personave të tjerë për t’u bërë pjesë e skemës së mashtrimit.

Për t’i bërë aplikimet e tyre për emigracion që të dukeshin të ligjshme, autoritetet thonë se organizata i ndihmonte personat e përfshirë në skemën e mashtrimit që të krijonin albume fotografish nga dasma si dhe siguronin dokumente të rreme që lidhen me taksat, pagesën e shërbimeve të ndryshme apo të dhëna mbi punësimin e tyre.