13:00 / E Martë, 07 Janar 2020 / indeksADMonline

SHBA-ja dhe Franca, luftë fjalësh për taksën digjitale

Ministri francez i Ekonomisë, Bruno Le Maire, paralajmëroi Shtetet e Bashkuara të hënën lidhur me taksën digjitale.

“Nëse amerikanët kanë vendosur të na vënë sanksione për taksën digjitale, edhe ne do të bëjmë të njëjtën gjë”, tha Le Maire.

“Nëse do të kemi sanksione prej tyre dhe një gjë e tillë është e mundur, menjëherë do të kontaktojmë Organizatën Botërore të Tregtisë”, tha ai.

Ministri ua ka dërguar një letër autoriteteve amerikane dhe ishte shprehur se do të diskutonte edhe me sekretarin e Thesarit Amerikan Steven Munchin lidhur me çështjen.

Autoritetet amerikane janë duke elaboruar një përgjigje ndaj taksës franceze për shërbimet digjitale. Kjo taksë merr 3% të të ardhurave të kompanive, të cilat i tejkalojnë xhirot vjetore prej 750 milionë dollarësh botërisht dhe 25 milionë dollarë, në Francë.

Amazon dhe Google do të preken më së shumti. Shumica e kompanive ndaj të cilëve aplikohet kjo taksë janë amerikane.