20:37 / E Martë, 08 Dhjetor 2020 / Blerim

SHBA konfirmon sigurinë e vaksinës Pfizer/BioNTech

Rregullatorët amerikanë konfirmuan se vaksina kundër sëmundjes COVID-19, e krijuar nga kompanitë farmaceutike Pfizer dhe BioNTech, është 95 për qind efektive.

Administrata e Ushqimeve dhe Barnave tha se nuk ka shqetësime për sigurinë që do ta pengonin miratimin e vaksinës.

Ajo nuk e ka miratuar ende vaksinën, por publikoi një dokument që deklaron se të dhënat e testimeve janë “në përputhje” me rekomandimet e paraqitura në udhëzimet për përdorimin emergjent të vaksinës.

Kjo administratë do të mblidhet të enjten për të marrë vendimin përfundimtar.

Mbretëria e Bashkuar ka nisur të martën vaksinimin e qytetarëve të saj me vaksinën Pfizer/BioNTech.

Rregullatori britanik, MHRA, e ka miratuar përdorimin e vaksinës javën e kaluar.

Njerëzit që do të vaksinohen, do të duhet të marrin dy doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, me një diferencë kohore prej tri javësh.