11:37 / E Diele, 28 Tetor 2018

SHBA: Ngritet aktakuzë ndaj personit që vrau 11 njerëz në sinagogë

Një person që dyshohet se ka vrarë 11 persona në një sinagogë në Pensilvani të Shteteve të Bashkuara, është akuzuar për 29 vepra kriminale.

Prokurorët thanë se Robert Bowers, 46-vjeç, akuzohet për krime që përfshijnë përdorimin e armëve për të kryer vrasje dhe pengim të ushtrimit të besimeve fetare.

Prokurori i Përgjithshëm, Jeff Sesssions tha se akuzat për krime të urrejtjes “që mund të çojnë në dënim me vdekje” po ashtu do të ngriten nga autoritetet.

Policia thotë se Bowers, i pajisur me pushkë gjysmë-automatike dhe me tri revole, ka hyrë në sinagogën “Tree of Life” në Pitsburg më 27 tetor dhe ka bërtitur “të gjithë hebrenjtë duhet të vdesin” dhe më pas ka hapur zjarr.

Të paktën gjashtë persona të tjerë, përfshirë edhe katër policë janë plagosur, përpara se autoritete të mund të arrestonin të dyshuarin.

Autoritetet thonë se i dyshuari është dërguar në spital pasi është plagosur gjatë konfrontimit me zyrtarët policorë.

Zyrtarët thonë se Bowers kishte postuar qëndrime anti-semite në platformat në mediat sociale të krahut të djathtë, përfshirë edhe një postim pak para sulmit.

Këto postime i referohen teorive të rreme konspirative që sugjerojnë se Holokausti – ku gjashtë milionë hebrenj vdiqën – është mashtrim.

Presidenti amerikan, Donald Trump u ka thënë gazetarëve se do të udhëtojë për në Pitsburg, por nuk ka dhënë më shumë detaje.

Trump ka dënuar atë që ai e përshkroi si akt “të urrejtjes” dhe lavdëroi zyrtarët e ligjit për “punën e jashtëzakonshme”. Ai po ashtu tha se sulmuesit e tillë duhet të dënohen me vdekje.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, kryeministri kanadez, Justin Trudeau, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kancelarja gjermane, Angela Merkel janë në mesin e liderëve botërorë që kanë dënuar këtë sulm.(Rel)