09:46 / E Premte, 12 Mars 2021 / B O

SHBA, një në pesë amerikanë humbën dikë të afërt nga pandemia COVID-19

Anketat e reja në mbarë SHBA-në tregojnë se 19 për qind e amerikanëve, përkatësisht rreth një në pesë persona, kanë një mik të ngushtë ose një të dashur që ka humbur jetën nga koronavirusi i ri (COVID-19), raporton AA.

Mbi 530 mijë amerikanë kanë vdekur nga koronavirusi ose ndërlikimet e këtij virusi që kur Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpalli atë pandemi globale më 11 mars të vitit 2020.

Anketa e re nga ‘Associated Press – Qendra Kombëtare e Hulumtimit (AP-NORC)’ zbuloi se edhe pse shumica e amerikanëve tashmë kohë të gjatë kanë kaluar tronditjen fillestare dhe frikën nga virusi, ata akoma nuk janë mjaft të gatshëm t’i hapin dyert “normalitetit”.

Në muajin mars të vitit 2020, anketa e AP-NORC-it tregoi se 50 për qind e amerikanëve ishin “jashtëzakonisht ose shumë të shqetësuar” për virusin. Sot ky numër është 31 për qind.

Por akoma, sipas anketës së fundit, 67 për qind e amerikanë janë të paktën “disi të shqetësuar” se ata ose një anëtar i familjes së tyre do të infektohen me virusin dhe e njëjta përqindje gjithmonë mban një maskë jashtë shtëpisë dhe duan që edhe të tjerët ta bëjnë këtë.

Anketa po ashtu tregon se krahasuar me republikanët, demokratët akoma janë “shumë të shqetësuar” për virusin, respektivisht 42 për qind kundrejt 18 për qind. Po ashtu 29 për qind e republikanëve mendojnë se nuk kanë nevojë të vaksinohen, ndërsa te demokratët kjo përqindje është 12.

Shifrat vijnë përderisa disa shtete amerikane po heqin kufizimet, veçanërisht Teksasi, shteti i dytë më i madh me pothuajse 29 milionë banorë.

Të gjitha kufizimet kundër virusit në Teksas, përfshirë mbajtja e maskave, tani më janë hequr, veprime që shkaktuan një debat të ashpër nëse shteti ka ecur shumë larg në kohë shumë të shpejt.

Kryeqyteti liberal Austin vazhdon të zbatojë masën e mbajtjes së maskës edhe këtë javë, ndërkohë prokurori i përgjithshëm i shtetit kërcënoi se do të padisë zyrtarët e qytetit për ta rrëzuar këtë masë.

Shumica e shteteve amerikanë shënuan një rënie dramatike të rasteve gjatë muajit shkurt, por në disa shtete numri i tyre është rritur. Dje, shteti Michigan, i cili vazhdimisht ka zbatuar kufizime mjaft të shtrënguara, raportoi numrin më të lartë të rasteve të reja që nga mesi i janarit.

Fituesi më i madh në anketë është presidenti Joe Biden, pasi dy të tretat e amerikanëve thonë se kombi nuk e ka marrë seriozisht virusin, gjë të cilën presidenti Biden e vendosi në përparësitë e tij kryesore në fushatën e tij zgjedhore në garën për president.

Ish-presidenti Donald Trump u kritikua për përgjigjen e tij ndaj pandemisë, madje edhe menaxheri i fushatës së tij tha se përgjigja e Trump-it ndaj pandemisë i kushtoi në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Sipas anketës, Biden për trajtimin e tij të koronavirusit ka 70 për qind mbështetje nga demokratët dhe 44 për qind nga republikanët, vlerësimi i tij më i lartë i mbështetjes nga të dy palët për çfarëdo çështje në presidencën e tij.